Pfizer-BioNTech fillon studimet klinike për vaksinë kundër variantit Omicron

25/01/2022 16:49

Kompania BioNTech, e themeluar nga emigrantë turq në Gjermani, bashkë me partnerin e saj amerikan Pfizer, njoftuan fillimin e studimit klinik “për të vlerësuar sigurinë e tolerancës dhe imunogjenitetit të një kandidati për vaksinë kundër Omicron-it”.

Në një deklaratë, kompanitë njoftuan nisjen e një studimi klinik duke thënë se ai do të kryhet tek “të rriturit e shëndetshëm nga 18 deri në 55 vjeç”.

Duke vënë në dukje se studimi do të ketë “tre grupe që shqyrtojnë regjimet e ndryshme të vaksinës aktuale Pfizer-BioNTech kundër COVID-19 ose një vaksine të bazuar në Omicron”, në deklaratë theksohet gjithashtu se studimi është pjesë e “përpjekjeve të vazhdueshme për të adresuar Omicron-in dhe për të përcaktuar nevojën e mundshme për vaksinat e bazuara në këtë variant”.

Në deklaratë përfshihen gjithashtu komente nga Kathrin Jansen, nënkryetare e lartë dhe drejtuese e kërkimit dhe zhvillimit të vaksinave në Pfizer, e cila thotë: “Ndërsa kërkimet aktuale dhe të dhënat e botës reale tregojnë se përforcuesit vazhdojnë të ofrojnë një nivel të lartë mbrojtjeje kundër sëmundjeve të rënda dhe shtrimit në spital me Omicron, ne e kuptojmë nevojën për t’u përgatitur në rast se kjo mbrojtje zbehet me kalimin e kohës dhe për të ndihmuar potencialisht në adresimin e Omicron-it dhe varianteve të reja në të ardhmen”.

Nga ana e tij, Uğur Şahin, drejtori ekzekutiv dhe bashkëthemelues i kompanisë BioNTech, tha se “vaksinat vazhdojnë të ofrojnë mbrojtje të fortë kundër sëmundjeve të rënda të shkaktuara nga Omicron. Megjithatë, të dhënat në zhvillim tregojnë se mbrojtja e shkaktuar nga vaksina kundër infeksionit dhe sëmundja e butë deri në mesatare zbehet më shpejt se është vërejtur me variantet e mëparshme”.

“Ky studim është pjesë e qasjes sonë të bazuar në shkencë për të zhvilluar një vaksinë të bazuar në variant që arrin një nivel të ngjashëm mbrojtjeje kundër Omicron si me variantet e mëparshme, por me kohëzgjatje më të gjatë të mbrojtjes”, shtoi ai.

Vaksinat BioNTech/Pfizer ishin vaksinat e para kundër COVID-19 të autorizuara nga BE në dhjetor 2020.

Vaksina përdor një teknikë inovative mRNA bazuar në një molekulë lajmëtare me udhëzime për të prodhuar një proteinë nga virusi që shkakton COVID-19, duke përgatitur trupin për të luftuar sëmundjen.

Ndryshe nga vaksinat tradicionale, BioNTech/Pfizer nuk përmban vetë virusin.

Top Channel