Omicron “nuk pyet” për vaksinë, Izraeli nuk ndalet: Rekomandohet doza e katërt

25/01/2022 14:51

Edhe pse gjithmonë e më shumë të dhënat nga e gjithë bota tregojnë se varianti i koronavirusit, Omicron e anashkalon mbrojtjen nga vaksinat, një panel ekspertësh në Izrael sërish këshilloi qeverinë vendase të ofrojë dozën së katërt të vaksinës kundër koronavirusit për të gjithë personat mbi 18 vjeç.

Argumenti i komisionit të ekspertëve ishte së një dozë e tillë përforëcuese mund të parandalojë sëmurjen e rëndë nga ky virus. Sipas tyre, doza e katërt ofron tre deri në pesë herë më shumë mbrojtje kundër sëmurjes së rëndë dhe dyherë më shumë mbrojtje kundër infektimit, në krahasim me tre doza. Që rekomandimi të zbatohet, ai duhet të marrë më parë dritën jeshile të ministrisë së Shëndetësisë.

Vetëm dy javë më parë sakaq ishte pikërisht një grup studiuesish në një spital të Izraelit që dolën me një raport sipas të cilit, doza e katërt e vaksinës kundër COVID-19-s, nuk ndihmon për të shmangur infeksionin nga varianti Omicron.

Mjekët e spitalit ‘Sheba’ thanë se u kishin dhënë një dozë të katërt të vaksinës Pfizer-BioNtech apo Moderna, 274 punonjësve të shërbimit shëndetësor dhe se kishin zbuluar se megjithëse përforcuesi e rriste nivelin e antitrupave, ai nuk e parandalonte dot përhapjen e Omicron-it.

Top Channel