Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut, të martën ka njoftuar për 26 viktima me COVID-19 dhe 2,341 të infektuar, bazuar në testimin e 6,193 mostrave. Pozitiviteti i rasteve të reja është 37.8 për qind.

Sipas raportit të publikuar, viktimat u regjistruan: 10 në Shkup, 3 në Gjevgjeli, nga 2 në Tetovë, Veles dhe Dojran dhe nga 1 në Kavadar, Ohër, Strumicë, Pallankë, Makedonska Kamenicë, Kumanovë dhe Shtip.

Numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 8,266 persona, shumica prej tyre nga Shkupi.

Sa i përket të infektuarve, 765 rastet e reja janë në Shkup, 115 në Manastir ndërsa numër më i vogël në 30 qytete tjera.

Raste aktive në nivel të Maqedonisë së Veriut janë mbi 21,000 persona. Të martën janë shëruar 1,470 persona.

Që nga paraqitja e pandemisë, me COVID-19 janë diagnostikuar afër 260,000 persona.

Me rekomandim të Komisionit për Sëmundje Infektive, Shtabi i Krizave i ka propozuar Qeverisë shkurtimin e periudhës së izolimit për personat e infektuar nga 10 në 7 ditë.

Propozimi i Komisionit për Sëmundje Infektive është dhënë për shkak se varianti Omicron i koronavirusit nuk konsiderohet me rrezik të lartë sikur variantet paraprake të virusit.

Masa tjera nuk janë propozuar, meqë këto që janë në fuqi konsiderohen të mjaftueshme për përballje me pandeminë e koronavirusit.

Maqedonia e Veriut nuk ka orë policore, sikur që nuk ka as ndalesë të punës së objekteve të gastronomisë. Mbajtja e maskës është e obligueshme vetëm në ambientet e mbyllura. Më 1 shkurt mësimi në arsimin fillor dhe të mesëm do të fillojë me prezencë fizike.

Ndërkohë, edhe të martën kanë vazhduar reagimet lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, për hyrje në territorin e saj me tri doza të vaksinave apo me dy doza dhe test PCR.

Oda Ekonomike Veri-Perëndimore të Maqedonisë së Veriut, përmes një reagimi me shkrim, këtë vendim e ka konsideruar të dëmshme për bizneset, pasi siç ka thënë, pengon lëvizjen e punëtorëve në vendet e tyre të punës në Kosovë, por edhe për ekonominë në përgjithësi.

“Pengesat në lëvizjen e lirë njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, nuk përkon me logjikën ekonomike në këtë periudhë. Ne shprehim mirëkuptimin tonë mbi gjendjen epidemiologjike, por i bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës të rishqyrtojë këtë vendim dhe të mos pengojë qarkullimin e lirë të qytetarëve pasi kjo do të ketë pasojë në të gjithë sektorët e ekonomisë”, thuhet në reagimin e Odës Ekonomike Veri-Perëndimore të Maqedonisë së Veriut./REL/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA