Kaos nga stuhia e borës në Greqi! Mijëra automjete të bllokuara në autostradë, pasagjerët pa ushqim prej disa orësh

25/01/2022 09:06

Moti i keq me temperatura të ulëta dhe stuhi dëbore ka mbërthyer Greqinë.

Mijëra automjete janë aktualisht të bllokuara në aksin Atiki Odhos dhe në akset periferike të Athinës.

Gjatë gjithë natës, ekipet e shpëtimit mundën të nxjerrin nga ky aks më shumë se 1800 vetura dhe kamionë, ndërsa mbeten ende të izoluar më shumë se 1200 te tjerë.

Shumë prej makinave nuk kanë më karburant dhe furnizime me ushqime, ndaj dhe gjatë natës është tentuar furnizimi dhe më pas zhbllokimi i automjeteve.

Në aeroportin e Athinës janë mijëra persona të izoluar, në pritje të evakuimit pasi aksi që lidh aeroportin me kryeqytetin mbetet i bllokuar prej 18 orësh.

Edhe në kryeqytet është pezulluar pothuaj fare trafiku, ndërsa automjetet e pakta që lëvizin janë të pajisura me zinxhirë.

Temperaturat kanë arritur në -16 gradë në disa zona të vendit, ndërsa ekipet teknike po punojnë për të mbajtur funksionale linjat e energjisë elektrike. Ndërprerje energjie janë shënuar në periferi të Athinës dhe në zonën e Evias.

Mbrojtja civile përsëriti apelin që qytetarët të mos dalin nga banesa nëse nuk kanë një arsye të domosdoshme si dhe tërhoqi vëmendjen për kujdes maksimal prej atyre persove që dalin në rrugë, pasi trotuaret kanë ngrirë dhe  rreziku i dëmtimeve trupore prej rënies është mjaft evident.

Kujdes duhet bërë edhe prej rënies së pemëve,pasi prej reshjeve të dendura, mijëra pemë janë rrëzuar duke demtuar automjetet poshtë tyre.

Top Channel