R. Kennedy Jr. kritikohet pasi përmend Anne Frank në mitigun kundër vaksinimit të detyruar në Uashington (fotot)

24/01/2022 19:02

Dje në një miting kundër kufizimeve dhe vaksinimit të detyruar në Uashington, aktivisti Robert F.Kennedy Jr. , tha se po aktivizohen “mekanizma naziste në mënyrë që asnjë nga ne të mos ketë ku të shpëtojë “.

Nipi i presidentit të vrarë amerikan John Kennedy, dhe i biri i vëllait të tij Robert gjithashtu të ekzekutuar në mënyrë misterioze, tha mes të tjerash se do të ishte më e lehtë që Anne Frank të fshihej nga nazizmi, sesa për amerikanët që duan t’i shpëtojnë vaksinimit të detyruar, në mitingun e gjerë të pasdites së djeshme në Uashington, DC.

Avokati mjedisor dhe aktivisti anti-vaksinë foli për mijëra njerëz të mbledhur para Lincoln Memorial në eventin e quajtur “Të mundim mandatin e vaksinës: Rikthimi i Amerikës”.

“Edhe në Gjermaninë e Hitlerit ti mund të largoheshe në Alpe drejt Zvicrës, mund të fshiheshe në papafingo, siç bëri Anne Frank,” tha ai, duke iu referuar vizitës me babanë e tij kryeprokuror, në Gjermaninë Lindore në 1962, ku u takuan me njerëz që i kishin shpëtuar regjimit nazist.

“Sot këto mekanizma po vendosen në zbatim në mënyrë që askush të mos shpëtojë e askush të mos fshihet,” tha 68 vjeçari Kennedy, sipas videos së fjalimit të tij të publikuar nga gazetari i NBC, Ben Collins.

“Ata po instalojnë rrjetin 5G për të mbledhur të dhënat e për të kontrolluar sjelljen tonë. Valuta dixhitale do të bëjë që ata të dënojnë këdo nga distanca dhe të ndërpresin furnizimin me ushqim”.

Komentet e tij u dënuan nga Memoriali Auschwitz.

“Shfrytëzimi i tragjedisë së njerëzve që vuajtën, u torturuan dhe u vranë nga regjimi nazist, duke përfshirë dhe fëmijë si Anne Frank – në një debat për vaksinat, është simptomë e degjenerimit intelektual,” shkruante muzeumi.

Kreu i grupit amerikan anti-vaksinë  ‘Informed Consent Action Network, Del Bigtree tha se objektivi i aktivistëve janë gazetarët dhe media, si dëmtues kryesorë të parimit të “pranimit të informuar” në lidhje me vaksinat.

13-vjeçarja Anne Frank u fsheh nga regjimi nazist në një papafingo në Amsterdam me familjen e saj hebreje në 1942. Por pas 25 muajsh ato u zbuluan nga Gestapo dhe u dërguan në Auschwitz. Frank vdiq nga tifo në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen në vitin 1945.

Del Bigtree gjithashtu përmendi referenca dhune, fillimisht ndaj gazetarëve pro-vaksina si dhe ndaj kryemjekut të pandemisë në SHBA, Anthony Fauci.

“Ndryshe nga gjyqet e Nuremberg ku u gjykuan vetëm doktorët naziste që shkatërruan jetët e njerëzve, ne do ta bëjmë këtë edhe me gazetarët”, tha ai.

FOTO GALERI
1/6
Robert F.Kennedy Jr. , tha se po aktivizohen “mekanizma naziste në mënyrë që asnjë nga ne të mos ketë ku të shpëtojë ".

Top Channel