Ministria e Financave nuk ka kapacitetet e nevojshme për të vlerësuar dhe monitoruar kontratat koncesionare PPP.

Këtë e pranon vetë qeveria në draftin për reformat ekonomike 2022-2024 në të cilin thuhet se sistemi për vlerësimin e këtyre kontratave, por edhe të gjitha investimeve të tjera publike është i dobët.

Shkrirja e Ministrisë së Ekonomisë me atë të Financave thuhet ndër të tjera në draft ka sjellë problem në menaxhimin e PPP-ve.

Në raportin e fundit për vendin Fondi Monetar Ndërkombëtar evidentonte se stoku i kontratave të partneritetit publik privat në fund të vitit 2021 mund të arrinte në 50% të prodhimit të Brendshëm Bruto, ndaj kërkonte dyfishim të përpjekjeve për të forcuar kapacitetet e për të menaxhuar risqet fiskale që mbartin këto projekte.

Zhvillimi i një strategjie për përmirësimin e sistemit të monitorimit të investimeve publike në tërësi përfshirë edhe koncesionet evidentohet si një nga prioritetet e Financave për periudhën afatmesme.

Ajo përfshin ngritjen dhe plotësimin e një bazë të plotë të dhënash për kontratat koncesionare, zhvillimin e një metodologjie bazuar mbi kritere të qarta të këtyre projekteve, si dhe hartimin e raporteve gjithëpërfshirëse të këtyre kontratave si dhe investimeve publike në tërësi.

Këtë vit, janë parashikuar të aktivizohen 6 kontrata të reja koncesionare me një vlerë prej rreth 194 miliardë lekë, rreth 1.5 miliardë euro. Ato përfshijnë ndërtimin e rrugës Milot-Fier, projekti për Triportin Vlorë, ndërtimin e aeroportit të Sarandës, koncesioni për rritjen e sigurisë rrugore si dhe dy kontrata të tjera ajo për ofrimin e shërbimit të infrastrukturës publike si dhe përmirësimin e disa blloqeve të banimit në Elbasan.

Top Channel