Shtrëngoi masat anti-COVID/ Kryeministrja e Zelandës së re anulon dasmën

23/01/2022 13:16

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern ka anuluar ceremoninë e dasmës së saj, menjëherë pasi kishte shpallur kufizimet e reja kundër pandemisë në vend.

Ajo tha se nuk do t’ia lejonte vetes të sillej ndryshe nga bashkëkombësit e saj në kushtet e pandemisë.

“Nuk jam ndryshe nga mijëra neo-zelandezë të tjerë që kanë ndjerë një ndikim më shkatërrues nga pandemia, pamundësia për të qenë me personat e dashur kur ata janë tepër të sëmurë,” u shpreh kryeministrja, ndërsa konfirmoi për gazetarët se martesa e saj me prezantuesin Clarke Gayford nuk do të zhvillohej.

Vendi do të vendoset nën kufizime tepër të ashpra për shkak të përhapjes së shpejtë të variantit Omicron të COVID-19.

Kufizimet përfshijnë një kapacitet prej 100 personash të vaksinuar në evente dhe mbajtjen e maskës në dyqane dhe transport publik.

Vendi ka operuar nën rregulla strikte që prej fillimit të pandemisë, gjë që ka mbajtur në kontroll numrin e vdekjeve.Por me daljen e variantit Delta, kryeministrja Jacinda Ardern ndryshoi strategjinë nga eliminimi i COVID te nxitja për më shumë vaksinime.

 

Top Channel