SHBA: Kujdes, Rusia po dezinformon. Deklarata shpërndahet edhe nga ambasada në Tiranë

23/01/2022 20:17

Përpjekjet e fundit të Rusisë për të mbushur mjedisin mediatik me pavërtetësi për Ukrainën janë pjesë e një modeli të vjetër, kështu thotë ambasada amerikanë në Tiranë teksa ka shpërndarë një deklaratë të DASH.

Në deklaratë thuhet se  për shumë vite, Rusia ka sajuar një sërë narrativash të rreme që sistemi i saj i dezinformimit dhe propagandës i injekton vazhdimisht në mjedisin global të informacionit.

Ushtria dhe entitetet e inteligjencës ruse po angazhohen gjithashtu në këtë aktivitet për të ndikuar tek publiku, që të besojnë në mënyrë të rreme se Ukraina, jo Rusia, është fajtore për tensionet e rritura në rajon, vijon më tej deklarata.

Janë pesë teori nëprmjet së cilës rusia po e bën këtë, thotë DASH. E para është ajo se Rusia e quan vetën një viktimë në këtë histori. Rusia pretendon se reagimi negativ i komunitetit ndërkombëtar ndaj pushtimit të një vendi të pavarur ishte thjesht sepse njerëzit kishin frikë dhe e urrenin Rusinë.

E dyta ka të bëjë me atë se kur historia nuk përputhet me objektivat politike të Kremlinit, zyrtarët e qeverisë ruse i mohojnë ngjarjet historike ose i shtrembërojnë ato , si rasti kur Putin publikoi një version të shtrembëruar të fillimit të Luftës së Dytë Botërore.

Deklarata të tjera false të Rusisë janë ato se qytetërimi në perëndim po shkon drejt rrënimit, duke u larguar nga vlerat tradicioanale, apo se tashmë në Evropën fëmijët në vend të thonë nënë dhe baba thonë, prindi 1 dhe prindi  2.

Kremlini gjithashtu e ka të vështirë të pranojë që të gjithë individët duhet të kenë të drejtën për lirinë e shprehjes dhe se qeveria duhet të jetë përgjegjëse ndaj popullit të saj.

Të gjitha këto thotë DASH, kanë si qëllim manipulimin e së  vërtetës për t’iu përshtatur interesave të Kremlinit.

Top Channel