“Qofshi shqiptarë ose jo, veproni tani”, thirrja e Ilirjanit: Shpëtoni Vjosën! Nënshkruani peticionin

23/01/2022 20:51

Biznesmeni Elton Ilirjani ka bërë thirrje që të firmoset peticioni për mbrojtjen e lumit Vjosë. Përmes disa postimeve në rrjetin social Instagram, tregon se ka lindur në një qytet që ndodhet shumë pranë Vjosës.

Ndër të tjera thekson se Vjosa është thesar që i përket botës, ndaj duhet të marrë statusin Park Kombëtar.

“Kjo ishte Vjosa në vitin kur kam lindur pranë saj. Ndihmoni Vjosën të jetojë gjithmonë. Nënshkruani peticionin tani. Veproni tani, qofshi shqiptarë ose jo. Ky është një thesar botëror. Vjosa i përket botës. Nënshkruani peticionin. Unë jam rritur në ujërat e Vjosës. Unë hidhesha lakuriq në ujërat e egra. Nënshkruani peticionin tani”, shkruan Ilirjani.

Ilirjani thotë se të gjithë duhet të bëjnë të mundur që peticioni të arrijë 50 mijë nënshkrime për të shpëtuar Vjosën.

“Vjosa ka shpirt. Rriti dhe zbukuroi miliona shpirtra ndër shekuj. Doni të ndiheni të shëmtuar? Jo! Nënshkruani peticionin që të arrijmë 50 mijë sot. Gjyshja ime rriti borzilok me ujin e Vjosës. Shpëtoni Vjosën tani”, shkroi Ilirjani.

Vazhdimisht ka pasur reagime dhe thirrje për të mbrojtur përgjithmonë Vjosën nga çdo ndërhyrje, çdo ndërtim dhe për ta gëzuar të gjithë bashkë, në të gjithë madhështinë e saj, të egër dhe të lirë.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel