Lehtësohen kreditë për bizneset/ Kushte më të lehta në kredidhënie për shkak të përmirësimit ekonomik

23/01/2022 19:46

Përmirësimi i aktivitetit ekonomik të bizneseve ka bërë që bankat të lehtësojnë kushtet e kreditimit për sipërmarrjen.

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë sistemi bankar gjatë tremujorit të fundit të vitit 2021 perceptoi rrezik më të ulët lidhur me situatën ekonomike në vend dhe gjendjen financiare të bizneseve duke lehtësuar standardet e huadhënies si për bizneset e vogla e të mesme, ashtu edhe për biznesin e madh.

Kushtet e kreditimit u lehtësuan kryesisht për kreditë e dhënave për mbulimin e nevojave për likuiditet. Megjithatë, bankat pritet që të lehtësojnë më tej kushtet e huadhënies edhe në tremujorin e parë të këtij viti, duke përfshirë edhe kreditë për qëllime investimeve që një tremujor më parë mbeten të pandryshuara.

Ndërkohë, kërkesa për kredi vijoi të mbetet e lartë këtë periudhë nxitur kryesisht nga segmenti i sipërmarrjeve të mëdha dhe nga kredia për financime investimi që prej tre tremujorësh radhazi kanë njohur rritje të konsiderueshme.

Veç tyre, shtimi i kërkesës për kredi nga ana tjetër u ndikua sipas bankave edhe nga nevojat e larta për financimin e inventarëve dhe kapitalit qarkullues, si dhe për rifinancimin e borxheve ekzistuese të kompanive.

Ndërsa nga ana tjetër, politikat e kreditimit për individët u shtrënguan për kreditë konsumatorE kryesisht, teksa u lehtësuan ato për blerje banesash përgjatë tremujorit të katërt të vitit që lamë pas.

Edhe në segmentin e individëve, kërkesa për hua ka qenë e lartë e nxitur prej nevojave të larta për financimin e blerjeve të shtëpive por edhe për atë të konsumit, teksa pritshmëritë e sistemit bankar janë që të vijojnë trendin rritës edhe në pjesën e parë të vitit 2022.

Përtej optimizmit të sistemit bankar, situata e muajve të fundit me valën e rritjes së çmimeve mund të sjellë edhe një frenim të kërkesës për kredi si pasojë e rritjes së kostove si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset.

 

Top Channel