Probleme në dhomat e zhveshjes së Atleticos, Griezmann dhe De Paul “fajtorët”

22/01/2022 23:35

Atletico Madrid po vuan këtë sezon. Entuziazmi i fitimit të titullit kampion ka rënë, teksa ka probleme edhe në dhomat e zhveshjes. Marca raporton se gjithçka lidhet me Antoine Griezmann dhe Rodrigo De Paul, dy nga afrimet e merkatos së verës.

Francezi u rikthye tek ekipi i Diego Simeones pas aventurës për t’u harruar te Barcelona. Trajneri argjentinas e vlerëson shumë, por pjesa tjetër e grupit nuk e sheh me sy të mirë faktin që Griezmann preferohet përpara Angel Correa.

Sulmuesi argjentinas numëron 8 gola dhe 5 asiste këtë sezon në të gjithë kompeticionet, dhe ai është një nga lojtarët më të dashur dhe të respektuar nga shokët e ekipit. Pakënaqësi është krijuar edhe në lidhje me rrogën e majme që përfiton Griezmann tek “Colchoneros”. Lojtarëve të Atleticos nuk u ka pëlqyer as fakti që De Paul zbarkoi si një yll në “Wanda Metropolitana”.

Kampionët e Spanjës paguan 35 milionë euro tek Udinese për shërbimet e mesfushorit argjentinas, i cili ka krijuar “klanin” e tij me Luis Suarez, kjo edhe falë faktit që të dy kanë miqësi të ngushtë me Leo Messin.

E përditshmja iberike shkruan se atmosfera në dhomat e zhveshjes së Atleticos është në pikën më të ulët të viteve të fundit, dhe tani është detyra e Simeones të bashkojë grupin dhe të rikthejë harmoninë brenda skuadrës.

Top Channel