Ia kthen Kinës me të njëjtën monedhë, SHBA i ndalon dhjetëra fluturime

22/01/2022 16:58

44 fluturime ajrore të katër kompanive kineze nga Shtetet e Bashkuara drejt Kinës, u anuluan të premten.

Ky hap ishte kundërpërgjigje ndaj vendimit të qeverisë kineze për të pezulluar disa linja ajrore amerikane për shkak të shqetësimeve lidhur me koronavirusin. Pezullimet hyjnë në fuqi nga 30 janari  kur fluturimi i parë i planifikuar ishte ai i kompanisë kineze Xiamen që do të kishte transportuar pasagjerë nga Los Anxhelosi drejt këtij qytetit.

Sipas Departamentit amerikan të Transporteve, pezullimet do të qëndrojnë në fuqi deri në 29 mars. Do të pezullohen kështu disa fluturime të kompanive ajrore kineze, si Xiamen, Air China, China Southern Airlines dhe China Eastern Airlines.

Që nga 31 dhjetori, autoritetet kineze kanë pezulluar 20 fluturime të kompanisë amerikane United Airlines, 10 të kompanisë American Airlines dhe 14 të kompanisë Delta Air Lines, pasi disa pasagjerë rezultuan pozitivë me COVID-19.

Liu Pengyu, një zëdhënës i ambasadës kineze në Uashington, u shpreh  se politika për fluturimet ndërkombëtare të pasagjerëve që hyjnë në Kinë “është zbatuar në mënyrë të barabartë për linjat ajrore kineze dhe të huaja në mënyrë të drejtë, të hapur dhe transparente”, ndërsa e quajti lëvizjen e SHBA-së si të paarsyeshme.

Top Channel