Ngrica dhe bora pushton Turqinë, zbardhen edhe provinca ku “s`bie borë kurrë”!

21/01/2022 15:13

Parashikimet e motit për këtë javë dhe atë të ardhshme në Turqi, janë për kushte të ashpra dimërore, me ulje të fortë të temperaturave dhe reshje të vazhdueshme shiu e bore në shumicën e provincave.

Metereologët paralajmëruan se qyteti më i populluar i vendit, Stambolli do të mbulohet nga bora duke filluar nga mbrëmja e sotme. Qendra e Koordinimit të Fatkeqësive (AKOM) e Bashkisë Metropolitane të Stambollit njoftoi se reshjet e borës pritet të vazhdojnë edhe javën që vjen. Për 6 ditë me radhë, thotë Shërbimi Metereologjik turk, pjesa më e madhe e 81 provincave do të përfshihen nga moti i keq.

Deri tani, reshjet e borës ishin më të përqendruara në rajonet qendrore dhe lindore të vendit, por duke filluar nga e premtja, termometri shënon ulje të ndjeshme edhe rajonet e tjera më të ngrohta në perëndim.

Në Stamboll, temperaturat do të zbresin në minus 4 gradë Celsius e kjo situatë, do të vazhdojë të paktën deri të mërkurën. Të hënën mendohet se reshjet e dëborës do të mbërrijnë pikun e intensitetit, për t`u dobësuar në ditët në vijim.

Borë parashikohet edhe në zonën perëndimore të Izmirit, ku reshje të tilla janë një gjë e rrallë. Fronti i ftohtë nuk kursen as kryeqytetin Ankara, ku priten reshje të dendura për të paktën 4 ditë.

Top Channel