Moska nuk pret më, nis ushtrinë: Demonstrim gjigant force në Mesdhe e Paqësor!

21/01/2022 15:18

Moska nuk po i jep shumë hapësirë diplomacisë, por vazhdon të ushqejë frikën e një mësymjeje të Ukrainës.

Pikërisht në kohën kur përpjekjet diplomatike për shmangien e këtij skenari janë intensifikuar ndjeshëm. Rusia ka zgjedhur të demonstrojë forcën me manovra gjigande ushtarake në Atlantik, Arktik, Paqësor dhe në Mesdhe.

Në stërvitjen e planifikuar për në janar dhe shkurt do të përfshihen mbi 140 anije, 60 aeroplanë dhe 1000 pajisje të tjera ushtarake, njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes në Moskë, sipas të dhënave të agjencive ruse të lajmeve.

Rreth 10.000 ushtarë do të marrin pjesë në këtë stërvitje. Ministria ruse e Mbrojtjes shpjegoi, se qëllimi kryesor i stërvitjes së planifikuar është “mbrojtja e interesave kombëtare ruse në oqeane dhe për t’u bërë ballë kërcënimeve ndaj Rusisë prej oqeaneve”.

Shtetet e Bashkuara, nga ana e tyre, po u lejojnë vendeve baltike që të furnizojnë Ukrainën me armët të prodhuara në SHBA. Departamenti i shtetit njoftoi se Estonia, Letonia dhe Lituania si dhe Britania e Madhe kanë marrë lejen që nga arsenalet e tyre të dërgojnë në Ukrainë pajisje ushtarake të prodhimit nga SHBA, pa specifikuar sakaq se për çfarë lloj armësh bëhet fjalë.

Bazuar në rregulloret e kontrollit të eksportit të armëve shtetet duhet të marrin lejen e Ministrisë së Jashtme amerikane, përpara se të dërgojnë në vende të treta armë të marra nga SHBA-ja.

Top Channel