“Mbuloi katër raste abuzimesh me të mitur”, skandali përfshin ish-Papën Benedikt

20/01/2022 17:36

Nëntë vjet pasi befasoi botën duke dhënë dorëheqjen nga posti i tij në krye të Kishës Katolike, ish-Papa Benedikti i XVI-të përballet me akuza që rikthejnë fantazmat e abuzimeve me të miturit, të cilat gërryen lidershipin e tij.

Të dhëna të reja kanë dalë në dritë gjatë një hetimi gjerman. Ato tregojnë se Josef Ratiznger dështoi të vepronte për të paktën katër raste abuzimi me fëmijë gjatë kohës kur shërbente si kryepeshkop i Mynihut. Këtë post, sipas BBC-së, ai e kishte mbajtur nga viti 1977 deri në 1982.

Ai vetë i ka hedhur poshtë me forcë akuzat, por një raport i ri mbi abuzimet historike, i hartuar nga një firmë ligjore gjermane e inkriminoi ish-Atin e Shenjtë. Pretendimet janë se abuzimi vazhdoi gjatë mandatit të tij, dhe se personi që akuzohej për të, vazhdoi të mbetej aktiv në rolet e kishës. Ratzinger, sot 94 vjeç, u bë udhëheqësi i parë i Kishës që dha dorëheqjen në më shumë se 600 vjet, në vitin 2013. Që atëherë, ai kishte bërë një jetë kryesisht të qetë në qytetin e Vatikanit.

Raporti i ri nënvizon se Benedikti u njoftua për faktet e rasteve të abuzimit të të miturve gjatë kohës kur ishte kryepeshkop, por zgjodhi të mos ndërmerrte asnjë veprim.

Top Channel