“Magjia” e Bajramit nuk mjafton, Interi mposht Empolin në shtesa dhe kap çerekfinalet

20/01/2022 00:20

Ashtu si ndaj Juventusit në Superkupën e Italisë, edhe në sfidën e raundit të 1/8 të Kupës së Italisë, Interi vuajti por në fund shtesat i buzëqeshën skuadrës zikaltër që fitoi 3-2 pas 120 minutash lojë duke avancuar në çerekfinalet e këtij kompeticioni aty ku do të përballet me fituesen e çiftit Roma-Lecce.

Në San Siro sfida nisi keq për zikaltrit që humbën Joaquin Correan për shkak të një dëmtimi muskulor pas vetëm 5 minutash, megjithatë zëvendësuesi i argjentinasit, pikërisht kiliani Alexis Sanchez ishte ai që zhbllokoi shifrat në minutën e 13-të pas asistit që mori nga Dumfries.

Gjithsesi reagimi i Empolit nuk mungoi dhe pas një ore lojë në “San Siro” fluturoi “shqiponja kuqezi”, pasi Kristijan Asllani mesfushori i Shpresave që ishte titullar në këtë ndeshje asistoi për Nedim Bajramin i future në fushë në pjesën e dytë ashtu si Ardijan Ismajli. Mesfushori i kombëtares e stopoi bukur topin dhe me një goditje fluturimthi mposhti portierin rumun të Interit Radu. Në të 76-ën i pafat Radu që devijoi goditjen e Cutrones në portën e tij pas topit të kthyer nga traversa me Empolin që mori avantazhin.

Toskanët i shkuan shumë afër triumfit dhe surprizës së madhe në San Siro por në minutën e 91-të ishte kapiteni Andrea Ranocchia ai që vendosi sërish baraspeshën me një gol spektakolar duke e çuar ndeshjen në shtesë. Në shtesën e parë në minutën e 104, Stefano Sensi, 10 minuta pasi kishte hyrë në fushë shënoi edhe golin e përmbysjes së madhe për Interin që ruajti epërsinë deri në fund duke u kualifikuar në çerekfinale.

Top Channel