Ilaçi eksperimental kundër gripit, mund të ketë efekt të dyfishtë ndaj COVID-19

20/01/2022 10:38

Një ilaç eksperimental i zhvilluar fillimisht për trajtimin e gripit ka treguar rezultate premtuese në luftimin e virusit SARS-CoV-2 dhe mund të ketë një efekt të dyfishtë në COVID-19, kanë njoftuar shkencëtarët gjermanë.

Eksperimentet in vitro kanë treguar se ilaçi, i quajtur zapnometinib ose ATR-002, mund të frenojë përhapjen e virusit në qeliza dhe në të njëjtën kohë të zvogëlojë përgjigjen mbi-imune që ndikon në zhvillimin e formave më të rënda të koronavirusit.

Substanca aktive zapnometinib, e cila u përdor fillimisht në zhvillimin e një ilaçi kundër gripit, është treguar të jetë efektive në modele të ndryshme të kulturës qelizore, duke përfshirë aktivitetin kundër të gjitha varianteve të testuara të SARS-CoV-2.

Kjo nënkupton zbatim të gjerë në trajtimin e varianteve të ardhshme të koronavirusit që do të hasim në të ardhmen. Aktualisht është duke u zhvilluar testimi i kafshëve për të konfirmuar gjetjet.

Rezultatet e studimit, të publikuara javën e kaluar në revistën “Cellular and Molecular Life Sciences”, janë një bazë e mirë falë të cilave Instituti Gjerman për Medikamente dhe Pajisje Mjekësore i dha miratimin kompanisë Atriva Therapeutics për të testuar ilaçin te njerëzit.

“Për herë të parë, ne shohim se çdo ilaç ekzistues tregon një efekt të dyfishtë kundër COVID-19”, tha bashkautori i studimit Stephan Ludwig, virolog nga Instituti i Virologjisë, Universiteti i Muensterit.

“Rezultatet pozitive nga një studim klinik i vazhdueshëm njerëzor mund të rezultojnë në miratimin urgjent të ilaçit qysh në fillim të këtij viti,” tha Ludwig.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA