Greqia blen 6 avionë luftarak/ Janë porositur 24 avionë me vlerë 3,3 miliardë euro

20/01/2022 01:21

6 avionë luftarakë Rafale të nisur nga Franca fluturuan në fillim mbi Akropol në qendër të Athinës, e më pas janë ulur në orët e para të mesditës në bazën ushtarake të Tanagres.

Janë 6 avionët e parë Rafale, të blerë në bazë të një marrëveshjeje të ministres së Mbrojtjes greke me atë franceze, që ka nxitur më tej tensionet me rivalin historik të Greqisë dhe partnerin e saj në NATO, Turqinë. Greqia ka porositur gjithsej 24 avionë të ketij tipi që do të vijnë deri në 2025, 12 të përdorur e 12 të rinj, me vlerë 3.37 mld euro, në një përpjekje për të modernizuar forcat e saj të armatosura mes një mosmarrëveshjeje të gjatë me Turqinë mbi burimet energjetike në Mesdheun lindor.

“Aeroplanët e rinj Rafale që u ulën sot janë gati të ngrihen për një të ardhme më të mirë, më paqësore për të gjithë rajonin”- u shpreh Mitsotakis

Mitsotakis, i cili gjithashtu njoftoi ulje taksash për anëtarët e forcave të mbrojtjes, policisë, rojes bregdetare dhe zjarrfikësve, ka theksuar se marrëveshja e mbrojtjes me Francën në tetorin e kaluar sipas të cilës dy shtetet do t’i vinin në ndihmë njëri-tjetrit në rast të një kërcënimi të jashtëm, përfshin edhe një porosi për tre fregata franceze me vlerë 3 miliardë euro të tjera.
Kyriakos Mitsotakis. kryeministri i Greqisë
“Pas një dekade masash shtrënguese, ne jemi përsëri në një pozicion për të përmirësuar aftësitë tona mbrojtëse dhe ardhja e 6 Rafale-ve të para – në një kohë rekord që kur u mor vendimi politik për t’i blerë ato – nënkupton angazhimin tonë për të investuar vazhdimisht në kapacitetin që ne kemi për të parandaluar sulmet”- tha kryeministri grek.

Si 12 avionët e rinj edhe 12 të përdorurit janë të pajisur me një armatim prej 3 lloje raketash të gjeneratës së fundit dhe 14 armë të afta për të penguar çdo veprim armik. Ata kanë një rreze veprimi prej 2800 miljesh, depozitë të madhe karburanti, dy motore dhe radarë të fuqishëm elektronik, mund të analizojnë të gjitha të dhënat nga sensorët që disponojnë, të shohin deri në 200 km, të monitorojnë 40 objektiva njëkohësisht dhe të shkatërrojnë 8 më të rrezikshmit.

Pas tensioneve të fundit me Turqinë, të cilat gjatë vitit 2020 gati kaluan në konfrontime ushtarake, Athina zyrtare beson se me blerjen e avionëve dhe fregatave franceze, balancat ushtarake në detin Egje ndryshojnë dukshëm.

Top Channel