Del videoja e sulmit amerikan me dron/ U vranë 10 civilë, publikohet filmimi dramatik

20/01/2022 17:11

Pamje të deklasifikuara nga departamenti amerikan i mbrojtjes tregojnë momentin e sulmit dramatik me dronë nga forcat e SHBA-së, ku mbetën të vrarë 10 civilë afganë, përfshirë 7 fëmijë.

Nga goditja humbi jetën Zemari Ahmadi, punonjës i një ojf-je amerikane dhe 9 pjesëtarë të familjes së tij. Njerëzit shihen duke ecur pranë makinës së tij të parkuar përpara shtëpisë, kur ndodh shpërthimi.

Zoti do të hakmerret”, u shpreh një i afërm i viktimave, 32-vjeçari Aimal Ahmadi, i cili humbi të bijën në ngjarjen e rëndë. Drejtësia amerikane nuk e sheh kështu. Pentagoni njoftoi të hënën se asnjë pjesëtar i forcave të armatosura amerikane nuk do të përballet me masa disiplinore për sulmin që u përshkrua prej tij “si një gabim i pafajshëm”, pasi Toyota e bardhë e familjes që u shua e gjitha ishin identifikuar gabimisht si shënjestër e Shtetit islamik.

Zëdhënësi John Kirby tha se nuk ishte rasti për të kërkuar përgjegjësi personale e për të vënë gishtin ndaj dikujt në vecanti. Goditja e dronit erdhi tre ditë pas një sulmi kamikaze të ISIS-it në aeroportin e Kabulit, ku u vranë më shumë se 150 persona, përfshirë edhe 13 marinsë amerikanë.

Top Channel