Biden kërcënon hapur Putinin: Do ta paguani shtrenjtë një sulm mbi Ukrainën!

20/01/2022 13:45

Presidenti amerikan Joe Biden i dërgoi një paralajmërim të hapur homologut rus, Vladimir Putin.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk mendon se Putini e dëshiron një luftë të plotë, por as nuk e përjashton si mundësi. Ai tha se Moska do të paguajë një “çmim të lartë” nëse kryen një sulm ushtarak.

Biden: Unë nuk jam dhe aq i sigurt se Putini është i bindur për atë që dëshiron të bëjë. Mendoj megjithatë se ai e ka në plan të sulmojë. Por kostoja e hyrjes në Ukrainë ka për të qenë e lartë për rusët; pasojat për ta do të jenë të rënda.

Biden la të kuptohet se do të kufizojë qasjen e Rusisë në sistemin bankar ndërkombëtar nëse Moska pushton më tej Ukrainën. Komentet e tij erdhën disa orë pasi Sekretari i Shtetit Anthony Blinken, gjatë një vizite në Kiev, akuzoi Rusinë se po planifikon të përforcojë edhe më shumë kufirin, duke shtuar të tjera trupa ushtarake, krahas rreth 100,000 që ka vendosur deri tani.

Blinken sugjeroi se shifra mund të dyfishohet “me një vendim të shpejtë”. Ai nuk dha detaje mbi këto pohime, por ajo që dihet është se Rusia ka dërguar një numër të paspecifikuar trupash, në vendin aleat të saj Bjellorusinë, që gjithashtu ndodhet në kufi me Ukrainën, për stërvitje të mëdha ushtarake muajin e ardhshëm.

Top Channel