Zjarret në pyje vazhdojnë të bëjnë kërdi në të gjithë Argjentinën ndërsa temperaturat e larta dhe erërat ndihmojnë përhapjen e tyre, njoftuan autoritetet të mërkurën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas Shërbimit Kombëtar të Menaxhimit të Zjarreve (SNMF), vatrat aktive të zjarreve janë regjistruar në provincat Corrientes, Cordoba, Misiones dhe Rio Negro.

Por, autoritetet thanë se kanë arritur të vendosin nën kontroll disa zjarre në të gjithë vendin. Javët e fundit, vendi i Amerikës së Jugut është goditur nga thatësira dhe një valë ekstreme e të nxehtit, duke shkaktuar vështirësi për zjarrfikësit në shuarjen e zjarreve.

Sipas autoriteteve, një zjarr mbetet aktiv edhe në Ituzaingo, në veri të provincës Corrientes e cila kufizohet me Brazilin, Paraguajin dhe Uruguajin.

Zjarret në qytetin Aristobulo del Valle në provincën veriore të Misiones mbeten aktive së bashku me ato në provincën jugore të Rio Negro-s dhe zonën e Bariloche-s që filluan më 7 dhjetor pas goditjes së rrufesë si dhe zjarret në departamentin Independencia në Kordobë.

Autoritetet thanë se disa zjarre në provincën veriore të Santa Fe janë vënë nën kontroll.

Por, ata thanë se ka shpërthime zjarri në provincat Santa Fe, Jujuy, Salta, Neuquen, San Luis, Tierra del Fuego, Formosa, Catamarca dhe Chaco.

Qeveria e presidentit Alberto Fernandez është zotuar të sigurojë rreth 800 milionë pesos (7.7 milionë dollarë amerikanë) për provincat Rio Negro, Neuquen, Chubut dhe Misiones, të cilat janë goditur më së shumti nga zjarret.

Që nga dhjetori, zjarret në provincën e Rio Negro (Patagonia) kanë shkrumbuar më shumë se 6.000 hektarë.

Në fund të dhjetorit, qeveria federale konfirmoi se zjarret në Patagoni janë të lidhura me ndryshimet klimatike.

Për shkak të temperaturave të larta gjatë verës në Argjentinë, zjarrfikësit kanë qenë të angazhuar në të gjithë vendin javët e fundit për të luftuar zjarret që kanë përfshirë 9 nga 23 provincat e vendit.

Më 12 janar, qeveria e Argjentinës shpalli gjendje të jashtëzakonshme të zjarrit për një periudhë njëvjeçare për shkak të situatës në vazhdim./AA/

Top Channel