Macron kthen sytë nga Ballkani/ Presidenti francez: T’i ofrojmë perspektivë të sinqertë anëtarësimi

19/01/2022 19:54

Në cilësinë e kryesuesit të Presidencës së BE-së,presidenti i Francës Emmanuel Macron tha se Evropa dëshiron të gjejë një përgjigje politike për konfliktin në Ukrainë dhe se duhet të rishikojë raportet e tij me Ballkanin Perëndimor.

Macron tha të mërkurën se evropianët duhet të ndërtojnë paktin e tyre të sigurisë kolektive dhe të riarmatoseshin përballë lëvizjeve ushtarake ruse .

Siguria në kontinentin tonë kërkon riarmatim strategjik. Si evropianë, ne duhet të bëjmë kërkesat tona dhe ta vendosim veten në një pozicion për t’i zbatuar ato. Ne duhet ta ndërtojmë atë mes nesh, evropianëve, ta ndajmë me aleatët tanë në NATO dhe t’ia propozojmë Rusisë për negociata“, tha ai.

Duke u rikthyer tek Ballkani perëndimor, ai tha se BE-ja duhet t’iu ofrojë shteteve perspektivë “të sinqertë” për anëtarësimin në bllokun evropian.

Nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi kanë përparuar më shumë në bisedimet për anëtarësim në BE. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë dështuar që të nisin bisedimet për anëtarësim, për shkak se Bullgaria ka vendosur veto ndaj Shkupit.

Franca, që nga 1 janari ka marrë kryesimin gjashtëmujor të Presidencës së BE-së, ka dhënë sinjale se do ta ketë në fokus të Presidencës rajonin e Ballkanit Perëndimor.

 

Top Channel