Deri në katër javë për riparim të kabllos nënujore në Tonga

19/01/2022 11:18

Një kabllo kyçe nënujore e komunikimit është shkatërruar në Tonga si pasojë e vullkanit dhe mund të marrë katër javë kohë për t’u riparuar, ka thënë Ministria e Jashtme e Zelandës së Re.

Kablloja është dëmtuar pas shpërthimit të vullkanit të shtunën, duke pamundësuar komunikimet brenda dhe jashtë këtij ishulli të Paqësorit.

Shpërthimi ka nxitur më pas cunami, i cili ka lënë të vdekur tre persona.

“Kompania amerikane e kabllove, SubCom ka thënë se do të duhen të paktën katër javë që kablloja e komunikimeve në Tonga të riparohet”, është thënë në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.

SubCom, ka thënë se është duke punuar me kompaninë e telekomunikimeve në Tonga për të mobilizuar një anije për riparim të kabllove, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters.

Tonga nuk ka arritur të kontaktojë me pjesën tjetër të botës prej shpërthimit të së shtunës.

Kjo nuk është hera e parë që janë dëmtuar kabllot nënujore të Tongas.

Një mot i ligë i vitit 2019 ka rezultuar me ndalje pothuajse të plotë të shërbimeve mobile dhe atyre të internetit për gati 100,000 banorët e këtij ishulli.

Top Channel