Ashtu siç ishte thënë pritja e presidentit të Turqisë po bëhet nën masa të rrepta sigurie.

Në hyrje-daljet kryesore të Lezhës si dhe në hyrje të Laçit ka postoblloqe të shumta.

Gjithashtu përgjatë autostradës Lezhë Milot janë të vendosura forcat Shqiponja. Edhe në lagjen ku pritet të vijë Erdogan, ka forca të shumta policie si ato të Shqipërisë dhe të Turqisë.

Gjithashtu janë të shumte dhe banorët të cilët presin të marrin shtëpitë.

Janë 522 apartamente me vlerë 42 milion euro, kontribut i Turqisë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Pas kësaj vizite, Erdogan do të shkojë në ambientet e kryeministrisë për nënshkrimin e 7 marrëveshjeve e memorandumeve bashkëpunimi.

Pjesë e vizitës në Tiranë të presidentit Erdogan është edhe një ndalesë për të parë Xhaminë Ethem Beu pas rikonstruksionit. Ishte TIKA, agjencia turke për bashkëpunim ndërkombëtar financuese e rikonstruksionit përmes specialistëve restauratorë, të ardhur nga Turqia.

Rreth orës 15:00 do të mbahet konferenca për shtyp e kryeministrit Rama me Erdogan, ndërsa vizita e presidentit turk do të mbyllet me një fjalë në parlamentin e Shqipërisë.

Top Channel