Në ceremoninë e dhurimit të shtëpive të rindërtuara në Laç me financimin e qeverisë turke, kryeministri Edi Rama ka treguar momentin kur të gjithë mendonin se Turqia do ndërpriste punën.

Arsyeja ishte se pak pas 26 nëntorit, Turqia u godit nga një tërmet i fortë. Por Rama thotë se ishte i bindur që Erdogan do të bënte çdo gjë për të mbajtur fjalën e tij.

Edi Rama: Premtova që do flas shkurt, por në këtë pikë, siç e thonë kritikët e mi, unë i ngjaj atij. Do ta mbyll me një episod tjetër. Gjatë kohës që sapo kishte filluar puna me mikun tonë, ministrin e ngarkuar për këtë rindërtim, Muratin, në Turqi ra një tërmet. Të gjithë këtu u alarmuan se thamë tan ii ra tërmeti në shtëpinë e tij dhe presidenti do harrojë rindërtimin këtu. Unë i thashë i bindur se kjo nuk do të ndodhë.

Jo vetëm sepse Turqia i ka mundësitë që njëkohësisht ti bëjë të dyja, por dhe nëse nuk do ti kishte mundësitë, presidenti Erdogan nuk do ta linte punën për të mbajtur fjalën këtu që të shkonte për të bërë punën atje. E përsëris dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua, Erdogan jo vetëm e thotë, e mendon, e beson por dhe e bën realitet atë që solla këtu pak më parë si një nga porositë e profetit.

Ceremonia u hap me fjalën e kryetares së Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara, e cila u shpreh e lumtur dhe mirënjohëse karshi Qeverisë turke, e cila ka investuar në kompleksin rezidencial, pas dëmtimeve që la tërmeti në këtë qytet.

Fjalën pas saj e mori ministri i Mjedisit dhe Urbanizmit në Turqi, Murat Kurum. Ai ka vlerësuar marrëdhëniet e ngushta mes Turqisë dhe Shqipërisë.

Ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyer të kompanive shqiptare të angazhuara në ndërtimin e kësaj lagjeje, me kompaninë turke, që dua t’i falënderoj për profesionalizmin”, tha Kurum.

Nga ana tjetër, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla tregoi një histori personale të kryebashkiakes së Kurbinit, e cila humbi banesën e saj nga tërmeti.

Në tërësi, do të jenë 524 apartamente të reja, në dispozicion të familjeve të dëmtuara nga tërmeti. Njësi shërbimi do të jenë 37 ndërsa është menduar edhe për vendparkimet nëntokësore me 375 të tillë.

E gjithë zona do të gëzojë një infrastrukturë bashkëkohore me një shkollë, qendër tregtare dhe standarde urbane të cilësisë së parë.

Top Channel