“Shqipëria i rezistoi mirë krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia, por…”, Banka Botërore: Duhet të shkohet përtej shifrave makro

16/01/2022 08:49

Shqipëria i rezistoi mirë krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia, por për Emanuel Salinas, Menaxher i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë, e rëndësishme është të shkohet përtej shifrave makro.

“Treguesit makroekonomikë japin, në rastin më të mirë, një pasqyrë shumë të përgjithshme të situatës. Nga njëra anë, po, është mirë të shohim këto tendenca pozitive makroekonomike, por, nga ana tjetër, ne e dimë se ka pasur ndikim të lartë në sigurimin e jetesës dhe se ka shumë njerëz që kanë vuajtur këto kohë të vështira”, thotë ai në një intervistë për “Monitor”.

Z. Salinas shton se, sidomos pas pandemisë, është e vështirë të parashikosh të ardhmen, ndërsa bën thirrje që të gjithë duhet të tregohemi të përgjegjshëm në këtë situatë. Ai është skeptik edhe për efikasitetin e projekteve të Partneritetit Publik-Privat (PBB) në Shqipëri.

Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe shpejtësinë e rimëkëmbjes së saj?

Mendoj se krizat dhe vështirësitë e fundit kanë treguar qëndrueshmërinë dhe shpirtin sipërmarrës të popullit shqiptar. Nëse marrim parasysh treguesit kryesorë ekonomikë, si rritja e PBB-së, mund të shohim se ekonomia është rikuperuar ndjeshëm në vitin 2021 (deri në 7.2%). Ne konstatojmë dhe tregues të tjerë, që sugjerojnë gjithashtu një rimëkëmbje të shpejtë.

Nëse fokusohemi në aspektin pozitiv, në fillimin e pandemisë, qeveria veproi shpejt dhe në mënyrë vendimtare për të mbështetur jetët dhe mjetet e jetesës, duke luajtur rol kyç për të ndihmuar ekonominë që të përballonte bllokimet fillestare.

Më pas, normalizimi relativisht i shpejtë i aktivitetit ekonomik mundësoi rikuperim të fortë. Shqipëria u rihap për turizmin. Aktiviteti domethënës i ndërtimit – përfshirë edhe rindërtimin pas tërmetit të 2019-s – ka ofruar mbështetje thelbësore për ekonominë.

… Por sa herë që flasim për shifra të mira makroekonomike, jam shumë i vetëdijshëm se ka shumë realitete dhe histori individuale që nuk reflektohen në ato përqindje. Jam shumë i vetëdijshëm se shumë njerëz mund të thonë “si mund të flasësh për rritje ekonomike, ose rimëkëmbje, kur unë humba punën time, ose djali im duhej të mos shkonte më në shkollë, ose vajza ime duhej të mbyllte biznesin e saj, apo babai im duhej të largohej nga vendi për të gjetur një punë jashtë vendit”.

Jam i dyzuar për këtë, sepse treguesit makroekonomikë japin, në rastin më të mirë, një pasqyrë shumë të përgjithshme të situatës. Nga njëra anë, po, është mirë të shohim këto tendenca pozitive makroekonomike, por nga ana tjetër, ne e dimë se ka pasur ndikim të lartë në sigurimin e jetesës dhe se ka shumë njerëz që kanë vuajtur këto kohë të vështira.

Për çdo tregues të mirë makroekonomik publik ka shumë histori vështirësish që nuk do t’i lexojmë kurrë në lajme. Është e rëndësishme të mos ngushëllohemi shumë nga treguesit makroekonomikë dhe të kujtojmë se ka shumë për të bërë për të siguruar prosperitet të përbashkët për popullin shqiptar.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për ecurinë e ekonomisë shqiptare në vitin 2022?

Niels Bohr thoshte se “parashikimi është shumë i vështirë, veçanërisht nëse bëhet fjalë për të ardhmen”. E vetmja gjë që dimë me siguri për vitin 2022 është se, ne në fakt, nuk e dimë se si do të shkojë.

Ne nuk e dimë se si do të funksionojë ekonomia, si do të zhvillohet pandemia, si do të ndikojnë tendencat e ndryshme në ekonominë globale dhe lokale, si do të evoluojë gjeopolitika, ose sa nga pasojat e ndryshimeve klimatike do të materializohen – dhe këto janë vetëm maja e ajsbergut të paditurive tona. Por sigurisht që ka shumë gjëra që ne nuk i dimë dhe i shpërfillim (të panjohurat e famshme të panjohura).

Tani, duke kaluar në një nivel më pak filozofik, ndërsa askush nuk mund të parashikojë të ardhmen (të paktën askush që unë e njoh apo i besoj), ne e dimë se ka rreziqe specifike që, nëse materializohen, do të kenë ndikim të rëndësishëm në ekonomi.

Disa nga këto rreziqe mund të zbuten (për shembull ne mund të zbusim rreziqet e tregjeve financiare globale të pafavorshme nëpërmjet menaxhimit strategjik të borxhit publik) dhe disa rreziqe nuk mund të zbuten, kështu që ne duhet të jemi të përgatitur për t’u marrë me to (për shembull përmirësimi i infrastrukturës për të zvogëluar ndikimin e përmbytjeve dhe investimet në ujitje për të zbutur ndikimin e thatësirës në bujqësi).

Është e rëndësishme të përmendet se kur mendojmë për ekonominë, shpesh supozojmë se qeveria është përgjegjëse për të, shpesh duke shpërfillur atë që mund të bëjmë ne si individë. Për shembull, nëse shqetësohemi për ndikimin e pandemisë në ekonomi, ne të gjithë kemi përgjegjësinë dhe fuqinë për të kontribuar në këtë, duke u vaksinuar dhe duke respektuar masat bazë të sigurisë.

Cilat janë rreziqet për ekonominë shqiptare në vitin 2022?

Mendoj se rreziku më i dukshëm për momentin është pandemia. Duke rrezikuar të deklarojmë të dukshmen, ne ende nuk e dimë se si do të evoluojnë variantet e ndryshme dhe cili do të jetë ndikimi në tregjet globale dhe lokale. Siç e përmenda më lart, ka rreziqe të tjera për ekonominë shqiptare, duke filluar nga ndryshimet klimatike te ndryshimet teknologjike, tendencat e tregjeve financiare globale, e deri te një listë shumë e gjatë e të tjerave.

Tani, nuk dua të jem negativ ose të paraqes një pamje të zymtë. Shqipëria ka dëshmuar se është një ekonomi shumë elastike dhe i ka përballuar këto kriza shumë më mirë se vendet e tjera të rajonit. Gjithashtu, kur eci në rrugët e Tiranës shpesh mrekullohem se sa “normale” ndihet situata. Kjo nuk është një arritje e vogël, duke marrë parasysh se sa shkatërruese ka qenë pandemia jo vetëm për ekonominë, por edhe për jetën e përditshme në shumë vende në Europë dhe më gjerë.

Kur mendojmë për rreziqet, nuk duhet të kemi një perspektivë fataliste ose të demotivohemi nga përmasat dhe shumëfishimi i këtyre rreziqeve. Përkundrazi, është e rëndësishme të veprojmë sipas asaj që mundemi, për të qenë të përgatitur për t’u përballur me rreziqet kur ato materializohen.

Qeveritë mund ta bëjnë këtë, për shembull, duke rritur konsolidimin fiskal (që në thelb do të thotë të sigurojnë që ata të shpenzojnë më pak se sa mbledhin në taksa, të krijojnë kursime për “ditët e vështira” dhe të bëjnë të mundur që çdo para të shpenzohet me mençuri dhe në mënyrë transparente). Dhe kjo këshillë është gjithashtu e zbatueshme për të gjithë ne si individë, meqë ra fjala.

Banka Botërore ka paralajmëruar qeverinë shqiptare për rreziqet e detyrimeve të paqarta të krijuara nga projektet e Partneritetit Publik-Privat (PPP). A keni ndonjë vlerësim të këtyre detyrimeve dhe rrezikut që mund të përballet qeveria shqiptare në të ardhmen e afërt dhe afatgjatë?

Ne nuk kemi bërë llogaritjet tona, por sipas raportit të fundit të monitorimit të PPP-ve të Qeverisë të publikuar në nëntor 2021, vlera kumulative e investimeve të kontratave PPP është rritur në 35% të PBB-së në vitin 2020.

Disa vite më parë, PPP-të konsideroheshin një ilaç. Dhe pse të mos pëlqehej ideja e mobilizimit të investimeve private në ndërmarrjen e aktiviteteve që tradicionalisht konsideroheshin monopol i qeverive? Të gjithë e pamë se PPP-të ishin, në parim, mënyra të mira për të sjellë praktikat e sektorit privat në elemente të tilla, si shërbimet publike. Dhe kjo është një gjë e mirë, por mendoj se ndonjëherë pritshmëritë për PPP-të janë më të larta se realiteti.

PPP-të, kur përdoren mirë, mund të jenë një mjet i rëndësishëm për qeveritë që të përdorin financimin dhe ekspertizën e sektorit privat për të arritur objektivat e qeverisë. Megjithatë, kur përdoren keq, kontratat mund të mos performojnë mirë dhe të krijojnë rreziqe fiskale për qeverinë. Me pak fjalë, ajo që kemi mësuar nga PPP-të në të gjithë botën është se a) është e rëndësishme të vendosen tregues të performancës dhe të strukturohen stimujt, për të bërë të mundur arritjen e këtyre treguesve, dhe b) PPP-të nuk zhdukin rreziqet – asnjë instrument financiar nuk eliminon rreziqet, thjesht i kalojnë nga njëra palë te tjetra.

Gjatë krizës financiare të vitit 2008, kam punuar në sektorin financiar. Një mësim që nxora (me dhimbje) është se nëse jam palë në një kontratë financiare, por nuk kam qartësi të plotë se cilat janë rreziqet dhe kush është përgjegjës për to, me shumë mundësi do të zbuloj në mënyrën më të keqe të mundshme që personi që mban rreziqet jam unë.

Në këtë pikë, ne rekomandojmë që Qeveria të rishikojë me kujdes mësimet e nxjerra nga portofoli ekzistues i PPP-ve në Shqipëri. Për të siguruar që instrumenti PPP të përdoret mirë, proceset e përzgjedhjes dhe monitorimit të PPP-ve duhet të forcohen më tej dhe ato duhet të kryhen në një mënyrë shumë transparente dhe konkurruese.

Banka Botërore ka mbështetur prej disa vitesh reformën në sektorin e energjisë. Si i vlerësoni rezultatet e reformës deri tani?

Në të vërtetë, ne kemi qenë aktivë në sektorin e energjisë për një kohë të gjatë dhe në mënyra të ndryshme. Kemi mbështetur investime të mëdha për të përmirësuar infrastrukturën për prodhimin e energjisë elektrike, përmirësime të mëdha për të përmirësuar sigurinë dhe efikasitetin e digave të vjetra, përmirësimin e qëndrueshmërisë së furnizimit me energji elektrike dhe qëndrueshmërinë financiare të sektorit të energjisë në përgjithësi. E gjithë kjo është kryer në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në vitin 2015 kemi mbështetur përgatitjen e Planit të Rimëkëmbjes Financiare për sektorin dhe si rrjedhojë e zbatimit të tij, kemi parë përmirësime të ndjeshme në qëndrueshmërinë financiare të sektorit (për shembull nëpërmjet reduktimit të humbjeve të energjisë elektrike dhe rritjes së arkëtimit të faturave). Kjo qëndrueshmëri e përmirësuar financiare ka mundësuar edhe rritjen e investimeve.

Ecuria e deritanishme është shumë e mirë, por do të nevojiten reforma shtesë për të siguruar qëndrueshmërinë afatgjatë të sektorit. Për shembull, nevojitet një Bursë Funksionale Shqiptare e Energjisë (ALPEX) për të akomoduar strukturën konkurruese dhe transparente të tregut të energjisë në Shqipëri, për të minimizuar koston e importeve, për të zbatuar disiplinën financiare dhe për të siguruar akses në treg për prodhuesit dhe konsumatorët e pavarur të energjisë.

Çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare për të reduktuar varësinë e saj nga energjia hidro?

Energjia elektrike e Shqipërisë prodhohet kryesisht nga energjia hidroelektrike dhe ndryshimet klimatike që po rezultojnë në ngjarje më të shpeshta dhe të rënda të motit, si thatësirat, përmbytjet, paraqesin sfida shtesë për infrastrukturën energjetike. Shqipëria është një nga vendet me ekspozimin më të lartë ndaj ndryshimeve klimatike në Europë, ndaj presim që këto rreziqe vetëm të rriten me kalimin e kohës.

Janë tre gjëra që vendet e tjera kanë bërë për të zbutur këto rreziqe:

(i) rritja e besueshmërisë së bazës së tyre të prodhimit vendas të energjisë, duke diversifikuar energjinë hidrike me prodhimin e energjisë së gjelbër dhe duke forcuar menaxhimin e rezervuarëve hidro;

(ii) liberalizimi i tarifave të energjisë elektrike, ose një tarifë shtesë e përkohshme gjatë periudhave të thata mund të ndihmojë në largimin e rrezikut nga sektori i energjisë; dhe

(iii) zhvillimi i instrumenteve financiare për të zbutur nevojat financiare, veçanërisht kur përballemi me një kombinim të paqëndrueshmërisë së prodhimit të hidrocentraleve vendase dhe tarifave të paqëndrueshme të importit ndërkombëtar.

Por në tërësi, në Shqipëri, ajo që duhet është një strategji për reduktimin e rrezikut të hidrocentraleve, e menduar me kujdes, e cila të vlerësojë me kujdes rreziqet dhe të gjejë zgjidhjet më të përshtatshme për kontekstin e vendit. Kjo strategji do të ishte një mënyrë e shkëlqyer për të prioritizuar veprimet, politikat dhe investimet.

Tani, do të jem pak më teknik, pasi në të vërtetë nuk mund t’i diskutojmë këto çështje pa analiza të forta: Së fundmi kemi zhvilluar një model për zbutjen e rrezikut hidro-financiar për sektorin energjetik të Shqipërisë, bazuar në projeksionet e ofertë-kërkesës në 10 vitet e ardhshme.

Me këtë analizë ne shpresojmë të ndihmojmë politikëbërësit, duke përcaktuar sasinë e rrezikut hidro-financiar dhe duke krijuar një projekt paraprak të lidhur me masat zbutëse që rekomandohen për mbrojtjen e sektorit të energjisë elektrike dhe konsumatorëve të tregut të rregulluar.

Kemi testuar disa instrumente rreziku, duke përfshirë rregullimin e tarifave, fondin e stabilizimit, kredinë e kushtëzuar dhe sigurimin e motit. Për ta përmbledhur, ne mendojmë se mund të nevojitet një kombinim i të gjitha këtyre instrumenteve financiare. Në analizën tonë, ne identifikojmë gjithashtu masat institucionale që kërkohen për të zbatuar strategjinë e zbutjes së rrezikut.

Qeveria shqiptare ka paraqitur një vlerësim për 725 milionë USD që nevojiten për projektin kombëtar të ujësjellësit. Cili është vlerësimi i BB-së për këtë projekt dhe planet e saj për ta mbështetur atë?

Jemi shumë të vetëdijshëm se ofrimi i shërbimeve publike në nivel lokal është një fushë ku duhet bërë shumë. Kjo përfshin jo vetëm furnizimin me ujë, por edhe kanalizimet, menaxhimin e mbetjeve, madje edhe kujdesin ndaj fëmijëve dhe edukimin e hershëm në fëmijëri.

Nëse fokusohemi te furnizimi me ujë, shohim se shumica e ujësjellësve vazhdojnë të kenë performancë të dobët, si nga ana teknike, ashtu edhe nga ajo financiare. Kjo rezulton në nivele të ulëta shërbimi dhe pamundësi për të shtrirë shërbimet tek ata që nuk i kanë, zakonisht më të rrezikuarit. Për më tepër, shumica e ndërmarrjeve janë të varura, në mënyrë të vazhdueshme, nga financimi i qeverisë qendrore.

Kemi parë që kjo çështje ka marrë shumë vëmendje kohët e fundit nga Qeveria dhe vërtet vlerësojmë autoritetet që kanë identifikuar nevojën për të ndërmarrë veprime. E vetmja gjë që dimë me siguri është se nevojiten ndryshime rrënjësore për të përmirësuar cilësinë dhe qëndrueshmërinë e këtyre shërbimeve jetike. Ndryshimet kozmetike, duke lënë status quo-në në vend, thjesht nuk do të jenë të mjaftueshme.

Ne do ta mbështesim sektorin nëpërmjet një instrumenti financimi inovativ që quhet zyrtarisht Programi për Rezultate, por jozyrtarisht e quajmë “në vend që të rregullojmë tubat, le të rregullojmë institucionet që duhet të rregullojnë tubat”.

Po, jam i vetëdijshëm që titulli jozyrtar tingëllon më pak elegant se ai zyrtar, por mendoj se është më mirë në përcjelljen e idesë. Ky Program është hartuar, së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe AKUM-in, si dhe Ministrinë e Financave, dhe në vend që të sigurojë financim për infrastrukturën, do të fokusohet në mbështetjen e reformës institucionale.

Si e vlerësoni ecurinë e projekteve të Bankës Botërore në Shqipëri?

Me tre fjalë “Mirë, jo mjaftueshëm”.

Së fundmi kemi përfunduar një vlerësim formal të performancës së projekteve tona gjatë katër viteve të fundit. Ky është një ushtrim që ne bëjmë në çdo vend ku operojmë dhe e quajmë “Rishikimi i Programit të Përfunduar dhe Nxjerrja e Mësimeve”.

Theksi ynë është te MËSIMET, sepse jemi shumë të vetëdijshëm se nuk i kemi të gjitha përgjigjet dhe çështjet që trajtojmë janë jo vetëm komplekse, por edhe në zhvillim të shpejtë. Sa herë që fillojmë një projekt, ne e bëjmë këtë me shumë shpresë, qëllime të mira dhe ekspertizën tonë më të mirë, por ky kombinim nuk është kurrë një garanci suksesi.

Ndonjëherë (për fat të mirë më shpesh sesa jo), ne arrijmë atë që shpresonim, por ndonjëherë, pavarësisht nga synimet dhe përpjekjet më të mira, ne dështojmë. Dhe për ironi, dështimet tona janë, në njëfarë mënyre, bekime. Ne mësojmë shumë më tepër nga dështimet sesa nga sukseset tona. Ato na mbajnë të përulur dhe na sfidojnë të jemi më të mirë herën tjetër. Ne jemi krenarë për atë që është arritur, por dëshirojmë më shumë. Ia kemi këtë borxh popullit të Shqipërisë.

Çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare në terma afatmesëm dhe afatgjatë për të zbutur rreziqet e pandemisë dhe për ta kthyer këtë krizë në mundësi?

Për mendimin tim, përgjegjësia e qeverisë është të vërë në dispozicion vaksinat, të vendosë rregulla për të shmangur infeksionet dhe të ofrojë shërbime të kujdesit shëndetësor për të infektuarit nga COVID. Përtej kësaj, është përgjegjësia jonë që të vaksinohemi dhe të marrim masa paraprake bazë për të shmangur përhapjen e virusit nëpërmjet veprimeve tona.

Fatkeqësisht, shoh ende shumë hezitime dhe keqinformime në lidhje me vaksinat dhe gjithashtu, shumë rreziqe të panevojshme, të cilat merren nga shumë njerëz, shpesh duke injoruar qartë udhëzimet dhe rregullat e vendosura për të na mbrojtur dhe për të shmangur infektimin.

Duke folur si individ, dua t’u bëj thirrje të gjithëve që të mos presin që qeveria të zgjidhë gjithçka për ne dhe të marrë përgjegjësinë për veprimet tona. Kaloni më pak kohë në Facebook, Instagram, Tik-Tok apo çfarëdo rrjeti social që aktualisht na mban të lidhur dhe e mbush trurin tonë me gjëra të parëndësishme. Merrni një libër ose bëni një shëtitje te parku i liqenit.

Merrni pak ajër të pastër. Shkëmbeni ide, ose përshëndetje, në vend të memeve dhe thashethemeve. Kuptoni se jemi ne, secili prej nesh, përgjegjës për të bërë atë që mundemi për të dalë nga kjo pandemi dhe të mos presim që dikush ta zgjidhë atë për ne.

Mesazhi
Duke folur si individ, dua t’u bëj thirrje të gjithëve që të mos presin që qeveria të zgjidhë gjithçka për ne dhe të marrë përgjegjësinë për veprimet tona. Kaloni më pak kohë në Facebook, Instagram, Tik-Tok apo çfarëdo rrjeti social që aktualisht na mban të lidhur dhe e mbush trurin tonë me gjëra të parëndësishme. Merrni një libër ose bëni një shëtitje te parku i liqenit. Merrni pak ajër të pastër. Shkëmbeni ide, ose përshëndetje, në vend të memeve dhe thashethemeve. Kuptoni se jemi ne, secili prej nesh, përgjegjës për të bërë atë që mundemi për të dalë nga kjo pandemi dhe të mos presim që dikush ta zgjidhë atë për ne.

Cilët janë sektorët ku duhet të fokusojë ekonomia shqiptare në të ardhmen dhe çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të vendit?

Siç e përmenda më parë, po përpiqemi të shmangim parashikimin e së ardhmes, dhe zgjedhja e sektorëve është, në fakt, një variacion i kësaj.

Në vend të kësaj, ne jemi të vendosur të themi se Shqipëria duhet të fokusohet në kujdesin për kapitalin e saj njerëzor. Ndërsa ne nuk e dimë se cilët sektorë do të jenë fitues dhe humbës në të ardhmen, ne e dimë që tani vendi po humbet mundësi të mëdha, për shkak të mangësive në kapitalin njerëzor.

Çfarë nënkuptojmë me këtë? Ne vlerësojmë se një fëmijë i lindur në Shqipëri do të arrijë vetëm rreth 63% të produktivitetit të tij të mundshëm gjatë gjithë jetës. Ajo ose ai do të humbasin rreth 37% të produktivitetit që mund të kishin, nëse do të mund të jetonin një jetë të shëndetshme dhe të përfitonin nga arsimi i cilësisë së lartë dhe përkatës që do t’i pajiste me aftësitë që do të nevojiten në mjedisin e punës.

Në mënyrë të ngjashme, ne e dimë se shumë talente janë të pashfrytëzuara nga fakti se shumë gra duhet të qëndrojnë në shtëpi, për shkak të mungesës së kujdesit për fëmijët. Kjo është një humbje që një vend si Shqipëria thjesht nuk mund ta përballojë.

Për më tepër, mungesa e kujdesit për fëmijët dhe edukimit në fëmijërinë e hershme minon potencialin e të mësuarit për fëmijët, pasi këto mangësi ndodhin në disa nga vitet më të mira të formimit të fëmijës. Pra, do të thosha, përpara se të përpiqemi të parashikojmë të ardhmen, le të merremi me sfidat që kemi në të tashmen. A mund ta bëjmë këtë?/Monitor

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA