Tirana e filloi me një barazim 0-0 vitin 2022 në Abissnet Superiore. Ekipi që kryeson kampionatin shqiptar, ia doli t’i “rrëmbente” një pikë Vllaznisë, sfidë rreth së cilës foli trajneri Orges Shehi.

“Nuk ishim aty ku duhet, është normale deri diku, pasi skuadra nuk ka formën e vet optimale. Nuk na funksionoi manovra në sulm, por edhe përqendrimi në disa momente në fazën mbrojtëse.

Sot vuajtëm, ishte një nga ditët tona të këqija. Nuk arritëm të sillnim në kohë Devid, sot improvizuam të luanim në mënyrë tjetër. Nuk ishim të qartë në disa momente përballë një kundërshtari që nuk ka çfarë të humbasë. Ata janë rivali ynë, edhe pse janë tetë pikë poshtë nesh. Menduam të luanim me Hotin si numër 9-sh fals. Në luftë nuk shkohet pa armë rezervë, dhe menduam ta përdornim Gjumsin nga stoli.

Unë mendoj se kam mesfushën më të mirë në Shqipëri, lojtarët e mi janë më të mirët në atë rol. Humbëm topa në mesin e fushës dhe Vllaznia rrezikoi. Është java e parë, e kisha frikë, sidomos kur je kryesues, pasi gjithë epiqendra është mbi skuadrën kryesuese. Mos të harrojmë që luajtëm përballë një kundërshtari që ka cilësi.

A e prisja një Vllazni të tillë? Vllaznia është skuadër pretendente, është e ndërtuar dhe e financuar për të qenë në majë. Nëse ata kanë 2-3 raste të pastra nga gabimet tona, sigurisht që do të vihemi në rrezik. E konsideroj rival të fortë Vllazninë”, përfundoi Shehi.

Top Channel