“Rusia po përgatitet për sulm”/ Shqetësim në Washington nga planet e Kremlinit

15/01/2022 11:49

Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësimin se Rusia mund të jetë duke u përgatitur të ndërhyjë së shpejti në Ukrainë, duke fabrikuar një pretekst për luftë nëse diplomacia nuk arrin të përmbushë objektivat e saj, tha Shtëpia e Bardhë të premten.

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara, aleatëve të saj evropianë dhe Rusisë rreth vendosjes së dhjetëra mijëra trupave ruse përgjatë kufirit të Ukrainës përfunduan pa rezultat këtë javë, pa plane konkrete për t’u takuar përsëri. Sulmi kibernetik kundër Ukrainës i ka ndezur më tej tensionet.

Një zëdhënës i Këshillit të Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare tha se nuk ishte ende e qartë se kush ishte përgjegjës për sulmin kibernetik, por se presidenti Joe Biden ishte informuar për të.

“Ne jemi në kontakt me ukrainasit dhe kemi ofruar mbështetjen tonë ndërsa Ukraina heton lidhur me pasojat dhe natyrën e tij dhe merr masa kundër incidenteve”, tha zëdhënësi.

Presidenti Joe Biden ka paralajmëruar për pasoja të rënda ekonomike për Rusinë nëse presidenti rus Vladimir Putin ndërmerr një ndërhyrje në Ukrainë. Rusia mohon të ketë plane për të sulmuar Ukrainën dhe i ka kërkuar NATO-s të ndalë zgjerimin e saj drejt lindjes dhe të japë garanci sigurie që ka propozuar Rusia. Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja i kanë refuzuar kërkesat.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se qeveria ruse mund të jetë duke u “përgatitur për një ndërhyrje në Ukrainë që mund të rezultojë në shkelje të gjera të të drejtave të njeriut dhe krime lufte nëse diplomacia nuk arrin të përmbushë objektivat e saj.”

“Si pjesë e planeve të saj, Rusia po krijon terrenin që të sajojë një pretekst për pushtim, përfshirë aktivitete sabotuese dhe operacione informative, që t’i përdorë më pas për të akuzuar Ukrainën për përgatitjen e një sulmi të afërt kundër forcave ruse në Ukrainën lindore.” tha zonja Psaki.

Ushtria ruse “planifikon t’i fillojë këto aktivitete disa javë përpara një ndërhyrjeje ushtarake, që mund të fillojë nga mesi i janarit deri në mes të shkurtit,” tha ajo.

Zëdhënësja tha se nëse Presidenti rus Vladimir Putin ndërmerr hapa të tillë, Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen ashpër.

Top Channel