Policia e Tiranës ka vënë nën pranga gjashtë persona dhe ka proceduar penalisht gjashtë të tjerë, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale.

U arrestua shtetasi S. N., 30 vjeç, pasi gjatë kontrollit nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kokainë.

U kap në flagrancë shtetasi në kërkim T. Sh., 30 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 8 muaj burg, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit B. A., 60 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes.

Në pranga u vu edhe shtetasi A. V., 25 vjeç, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke drejtuar motomjetin e tij pa leje drejtimi, dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi farash të dyshuara narkotike të llojit cannabis sattiva.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. S., 34 vjeç dhe A. B., 39 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse, në gjendje të dehur.

Ndërkaq, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale proceduan penalisht shtetasin H. Z., 30 vjeç, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”, “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, pasi gjatë kontrollit nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një shumë prej 28205 euro, të cilat nuk i kishte deklaruar në kufi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 proceduan penalisht shtetasit:

E. B., 33 vjeç, E. S., 34 vjeç dhe E. S., 34 vjeç, pasi janë konstatuar nga shërbimet e Policisë, duke luajtur lojëra fati në mënyrë të paligjshme, me anë të aparateve celularë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 proceduan penalisht shtetaset E. D., 23 vjeçe dhe A. M., 16 vjeçe (kushërira), pasi në bashkëpunim me njëra-tjetrën, kanë vjedhur një shumë parash në banesën e dajës së tyre, shtetasit A. S., 37 vjeç.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel