Manchester City iu fal perlës së Kevin De Bruyne për të thyer 1-0 Chelsea dhe për të siguruar fitoren e 12-të radhazi në kampionat. “Cityzens” po dominojnë Premier League dhe tani kryesojnë me 13 pikë më shumë se skuadra e Tuchel.

“Luajtëm mjaft mirë, bëmë gjithçka që duhej bërë në këtë takim. Nuk duhet të harrojmë që u përballëm me kampionët e Europës, Chelsea është një skuadër e shkëlqyer”, deklaroi Pep Guardiola pas suksesit të sotëm.

Trajneri spanjoll vijoi të analizonte duelin e fituar, teksa u ndal edhe te Kevin De Bruyne, një nga futbollistët më të mirë në qarkullim. “U përpoqëm të gjenim hapësira, por nuk kishte shumë, njësoj ndodhi edhe me tranzicionet e lojës. Ia dolëm të fitonim këtë ndeshje të gjithë së bashku. De Bruyne? Kevin është një futbollist i klasit botëror, ai është i përulur dhe shumë njerëzor deri në atë pikë sa të bëjë gjithçka për ekipin e tij.

Pres edhe më shumë nga Kevin, pasi e di shumë mirë që mund të japë edhe më shumë”, përfundoi tekniku i Manchester City, ekip që po dominon çdo kundërshtar në ishull.

Top Channel