Humbja minimale 1-0 në “Etihad Stadium” ndaj Manchester City-t, ka dëmtuar plotësisht synimet e Chelsea-t për titullin kampion, pasi kur kanë mbetur edhe 16 javë për t’u luajtur deri në fund, distanca me “citizens” është plot 13 pikë.

Nuk e fsheh zhgënjimin trajneri Thomas Tuchel, duke parë se skuadra e tij humbi një rast të artë për të rihapur garën për titullin kampion, teksa pas ndeshjes, gjermani nuk ngurroi të drejtojë gishtin e kritikës nga sulmuesi belg, Romelu Lukaku.

“Kemi pasur 69 tranzicione pozitive në pjesën e parë dhe asnjë prekje të topit në zonë. Mungesa e precizionit të sulmuesve, është një problem i madh për ne, pasi kemi humbur shumë topa, disa edhe shumë të lehtë. Në raste të caktuara Lukaku duhej të vihej më shumë në dispozicion të skuadrës, pasi ka humbur shumë topa pa presionin e kundërshtarëve dhe në pozicione mjaft premtuese. Ka humbur edhe një mundësi të mirë shënimi. Ne duam ta shërbejmë sa më shumë, por ai është pjesë e skuadrës dhe duhet të vihet në dispozicion, pasi në majë të sulmit kemi nevojë të bëjmë shumë më mirë”, u shpreh Tuchel.

Deklaratat e trajnerit gjerman vijnë vetëm pak ditë pas intervistës së Lukakut për Sky Sport Italia, ku shfaqi pendesë për largimin nga Interi dhe u ankua për zgjedhjet e Tuchel, teksa më pas paqja u vendos me ndërhyrjen e drejtuesve të klubit, që detyruan sulmuesin belg të kërkojë ndjesë publike.

Top Channel