Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov, tha sot se ishte “optimist” për progresin në negocjatat e rikthimit në fuqi të marrëveshjes ndërkombëtare bërthamore me Iranin.
Ministri tha se ndjen “optimizëm të kujdesshëm” në bisedimet për ringjalljen e akordit të vitit 2015 mes Iranit dhe gjashtë fuqive botërore.
“Ka pasur progres, kryesisht mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Ka dëshirë për të kuptuar shqetësimet specifike dhe mënyrën sesi ato të përfshihen në paketën e plotë”, tha Lavrov.
Akordi i vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore SHBA, Francë, Britani, Rusi, Kinë e Gjermani, hiqte sanksionet ndaj Teheranit në këmbim të reduktimit të programit bërthamor.
Por SHBA u tërhoq në mënyrë unilaterale nga marrëveshja në 2018 dhe riktheu sanksionet e rënda ekonomike.
Bisedimet për ringjalljen e tij kanë nisur prej vitit të shkuar por u ndalën në qershor pas zgjedhjes së presidentit konservator iranian Ebrahim Raisi.
Pas rinisjes së vështirë të negocjatave në nëntor, Irani tha kësaj jave se kishte parë një “progres relativisht të kënaqshëm”.
Por kësaj jave Franca tha se diskutimet janë “të ngadalta”, ndërsa SHBA tha se “mbeten vetëm pak javë” për të shpëtuar akordin.
Top Channel