Gjashtë shtetas lituanez akuzojnë për krime lufte Mikhail Gorbaçov

13/01/2022 19:26

Gjashtë shtetas nga Lituania kanë paraqitur një padi për krime lufte kundër ish-liderit sovjetik, Mikhail Gorbaçov.

Mësohet se padia e tyre lidhet me ngjarjet në Vilnius në janar të 1991 kur vendi shpalli pavarësinë e tij.

Gjatë këtij konflikti të përgjakur 14 civilë të paarmatosur u vranë dhe më shumë se 700 persona u plagosën.

Në prag të 31 vjetorit të kësaj ngjarje, familjarët e viktimave, i kanë bërë thirrje autoriteteve për drejtësi.

Ata kanë akuzuar Gorbaçovin si bashkëautor të këtij krimi për shkak të kontrollit që kishte ndaj ushtrisë sovjetike nga njëra anë dhe nga ana tjetër për pamundësinë që shfaqi për të parandaluar një “krim ndërkombëtar” kundër qytetarëve lituanez.

Në vitin 2019, një gjykatë lituaneze dënoi dhjetëra zyrtarë të epokës sovjetike për krime lufte, por prokurorët refuzuan të hetonin ish-udhëheqësin e BRSS.

Është e qartë se forcat ushtarake nuk do vepronin nëse nuk do koordinoheshin me Gorbaçovin”, tha Robertas Povilatis.

Pas 50 vitesh nga pushtimi sovjetik, Lituania arriti të fitojë pavarësinë e saj. Me mijëra qytetarë u mblodhën para ndërtesës së radio-televizionit më 13 janar të 1991.

Kujtojmë se pjesa më e madhe e 67 personave të dënuar për krime lufte në Lituani u dënuan në mungesë, duke përfshirë edhe ish-ministrin sovjetik të mbrojtjes Dmitry Yazov, i cili vdiq në vitin 2020.

Refuzimi për të hetuar Gorbaçovin, tani 90 vjeç, ka zemëruar familjarët e viktimave.

Bashkimi Sovjetik arriti të njohë pavarësinë e tre shteteve baltike, Estoni, Letoni dhe Lituani, në muajit gusht dhe shtator të vitit 1991. Nga ajo kohë këto tre shtete tani janë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Top Channel