Katër persona janë vënë  në pranga në Lezhë për falsifikim dokumentesh, pas një hetimi tre mujor nga policia.

Janë arrestuar Pertef Musabelli, Henri Haxhiraj, Arjan Refugjati, të tre banues në Tiranë dhe Erigesji Moriga, banues në Korçë, ndërsa janë shpallur  në kërkim Artur Terziu banues në Elbasna dhe Ilir Mata banues në Tiranë.

Gjatë operacionit është zbuluar një laborator që shërbente për prodhimin e dokumenteve të huaja të identifikimit, të dyshuara të falsifikuara, dhe një ambient ku ushtrohej aktivitetit i dyshuar i mashtrimit kompjuterik, ndaj shtetasve të huaj.

Sekuestrohen dokumente dhe fotokopje dokumentesh të huaja dhe shqiptare, të dyshuara të falsifikuara, pajisje kompjuterike, laptopë dhe karta bankash të huaja

Gjatë kontrolleve të ushtruara në disa ambiente në Lezhë, Tiranë dhe Elbasan, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: pasaporta dhe karta identiteti bullgare, karta identiteti spanjolle, pasaporta, karta identiteti dhe leje drejtimi italiane, fotokopje dokumentesh të huaja e shqiptare, pasaporta shqiptare, certifikata, 11 njësi kompjuterike, karta bankash, laptopë, USB që përmbanin të dhëna personale të disa shtetasve të huaj të mashtruar nga shtetasit e lartpërmendur, duke përfituar shumë të ndryshme monetare që variojnë nga 500-300.000 euro.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Mashtrimi kompjuterik”, “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Fshehja e të ardhurave”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

 

Top Channel