Burri me çekiç ngjitet në fasadën e BBC për të thyer statujën e skulptorit pedofil (fotot)

13/01/2022 17:46

Një burrë është arrestuar pasi është ngjitur dje me çekiç në dorë në fasadën e selisë kryesore të rrjetit BBC në Londër për të dëmtuar një skulpturë të artistit pervers Eric Gill.

Statuja e cila përfaqëson përsonazhet Prospero e Ariel nga drama e Shakespeare “Stuhia”, është krijuar në vitet 1930-të Eric Gill, i cili më pas është akuzuar se ka sulmuar seksualisht dy vajzat e tij të mitura. Ai ka vdekur në 1940 por cuditerisht nuk është hedhur poshtë zyrtarisht nga entet britanike.

Megjithë simbolikën e pretenduar, statuja që po sulmohej nga burri ka ne pamje një femijë te zhveshur, para një të rrituri.

Abuzimet seksuale të Gill dolën në dritë në vitet 1980-të, pas publikimit të një autobiografie që përdorte prova nga shkrimet private të artistit pedofil.

Prej atëherë statuja është bërë objekt kritikash dhe ka pasur shumë thirrje për heqjen e saj.

Policia u thirr dje kur burri u ngjit me shkallë në skulpturën rreth 4 metra të lartë mbi hyrjen e ndërtesës.

Në pamjet e publikuara të incidentit burri shihej që godiste vazhdimisht  këmbën e një figure më të vogël të statujës.

Copa nga statuja binin prej ndërtesës së BBC teksa burri godiste statujën e Ariel e Prospero.

Dy burra përpiqeshin të negocjonin me të kur ai duhet të ndalonte goditjet për t’u çlodhur.

Një negocjator dëgjohet që i thotë: “Nëse zbret poshtë mund ta zgjidhim këtë”, por burri u përgjigj duke dënuar sjelljen e rrjetit BBC dhe të medias në përgjithësi.

Në statuja ai kishte shkruar fjalët ‘Koha për ta bërë ishte 1989’ si dhe sloganin ‘Në litar të gjithë pedofilët’.

Një zëdhënës i policisë tha: ‘Policia tha se ishin thirrur pasditen e të mërkurës pas raportimeve për dëmtime në statujën e hyrjes. Burri më pas kishte zbritur me ndihmën e zjarrfikësve rreth orës 20:45.”

Një zëdhënës i rrjetit BBC tha se incidenti ishte një  ‘çështje në vijim e policisë’ dhe nuk pranoi të komentonte, shkruan Metro.co.uk

Statuja në fjalë është një nga dy vepra të Gill në ambjentet e BBC të instaluara në vitin 1933.

Artisti pedofil që ka vdekur në 1940 kishte abuzuar seksualisht dy bijat e tij dhe mbante shënime të perversitetit në ditaret e tij.

Kjo konfirmohet dhe në komentet biografike mbi të në muzeumin britanik  ‘Tate’ ku mes te tjerash thuhet se burri “ka abuzuar seksualisht me bijat e tij, motrat dhe qenin”.

Që prej daljes në dritë të krimeve të Gill ka pasur thirrje për largimin e veprave nga ndërtesa e rrjetit televiziv. Një peticion prej 2,500 firmash është nënshkruar nga grupimi aktivist “38 Degrees”.

FOTO GALERI
1/4
Një burrë është arrestuar pasi është ngjitur dje me çekiç në dorë në fasadën e selisë kryesore të rrjetit BBC në Londër

Top Channel