Më 21 Dhjetor 2021, nisi të përhapej me shpejtësi përmes aplikacionit ËhatsApp një dokument Exel me emrin “Rrogat Janar 2021”.

Me një klikim aty shfaqen të dhëna personale për 637138 qytetarë shqiptarë që nga numri personal, vendi i punës apo paga. Dy ditë më vonë, pasoi publikimi i një materiali të ngjashëm. Bëhej fjalë për pagat e muajit Prill 2021. Të dhënat i përkisnin 694473 qytetarëve. Dokumenti kishte një faqe të dytë ku renditeshin numrat e telefonit të 910061 qytetarëve. Së fundi, me të njëjtën skemë u shpërnda një dokument i 3-të exel ku gjendeshin të dhënat për veturat dhe targat e 591965 qytetarëve.

“Nëse do të dalin të dhëna të tjera të karakterit privat, sensitive, mendoj që jemi përballë sigurisë kombëtare” u shpreh Fabian Zhilla, ekspert i sigurisë kombëtare,

“Arsyeja pse po dalin pak nga pak është për të ndërgjegjësuar, apo për të njoftuar nejrëzit që ka patur ndërhyrje në të dhënat e tyre personale dhe bëhet zhurma e madhe mediatike, por shumë nga shqiptarët nuk e kuptojnë dëmin e madh thjesht merren me viralitete e lajmeve” u shpreh Gent Progni, ekspert IT.

Më datë 7 Janar, kryeprokurorja e Tiranës Elisabeta Imeraj doli në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat ku zbardhi skemën dhe personin burim nga janë vjedhur të dhënat e shqiptarëve. Shtetasja Eni Qirjako, e cila është specialiste IT pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve është personi që ka gjeneruar të dhënat e pagave nga sistemi. Nga kqyrja e e-mailit të punës së Qirjakos, prokurorët kanë zbuluar se ajo ia ka dërguar të dhënat kolegut Andi Agaraj, edhe ai ekspert IT.

Nga zbardhja e tabulateve telefonike që Top Story i zotëron të plota, shfaqen mesazhet e përsëritura të Andi Agarajt, i cili i kërkon koleges Qirjako listën e pagave. Për herë të parë, një mesazh i tillë është regjistruar në 24 Shkurt të vitit 2021.

“Ma nxirr pak atë listën e të punësuarve”.

Bën përshtypje fakti se në 16 Prill 2021 ai i shkruan Qirjakos që nuk ka më akses në portal dhe 3 ditë më vonë, pra në 19 Prill I përsërit kërkesën për listën e punonjësve.

“Kam një reset E-Albania. Nuk kam më akses në portal. Kur të kesh kohë më nxirr pak atë listën”.

Agaraj i shkruan sërish koleges në datat 1 Shtator, 14 SHtator dhe 22 Tetor 2021 për listen e pagave. Siç duket në mesazh, në datë 22 Dhjetor në orën 15:43 Qirjako i dërgon kolegut Agaraj listën e pagave të muajit Janar.
Më pas, ky shtetas i ka ruajtur materialet në komjuterin e tij, i ka kopjuar në CD dhe ia ka dorëzuar më pas shtetasve Klodian Sota dhe Endri Ikonomi dorazi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA