Irakenët duan që ish-kryeministri britanik Blair të “gjykohet për krime lufte” (fotot)

12/01/2022 16:53
Ish-kryeministri Blair

Duke reaguar ndaj dhënies së titullit tw “kalorësisw” nga mbretëresha britanike Elizabeth II për ish-kryeministrin Tony Blair, irakianët mendojnë se Blair duhet të gjykohet për shkak të përgjegjësisë së tij në pushtimin e Irakut.

Teksa numri i mbështetësve të peticionit të nisur për të anuluar titullin që i është dhënë Blairit në Britani kalon 1 milion, çështja është në rendin e ditës edhe botwn arabe, shkruan rrejti turk Anadolu Agency.

Irakianët duan që Blair, i cili u kritikua për mbështetjen e tij ndaj pushtimit të udhëhequr nga SHBA-ja në vitin 2003, të gjykohet për krime lufte.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), analisti Jawdat Qazim tha nga Bagdadi: “SHBA dhe Britania marrin gjithmonë vendime që sfidojnë vullnetin e popullit. Ky vendim (titulli i kalorësit) është një sfidë ndaj ndjenjave të popujve të botës së tretë. Toni Blair është një kriminel lufte dhe duhet të gjykohet. Blair dhe George W. Bush ishin budallenj qw sulmuan Irakun. Si rezultat i këtyre sulmeve, populli irakian vuajti shumë për shkak të krizave që përjetoi”.

Duke thënë se bota perëndimore, në krye me SHBA dhe Britaninë, ka marrë vendime të tilla edhe më parë, Qazim kërkoi që titulli, të cilin e cilësoi si “gabim i madh”, të tërhiqet sa më parë.

“Populli i Irakut u dënua me fatkeqësi të tilla si uria, mjerimi, mungesa e shërbimit publik dhe shfuqizimi i ushtrisë për shkak të luftës në të cilën Blair ishte partner. Shpresojmë që vendimet dhe hapat e ndërmarra nga fuqitë e mëdha do të jenë në favor të së drejtës”, tha Qazim.

“Blair duhet të dalë në gjyq”

Deputeti kurd i Irakut, Musenna Emin, ishte ndër ata që reaguan ndaj dhënies së titullit “kalorës” ish-kryeministrit Blair.

“Tony Blair ishte një nga ata që vendosën të shkojnë në luftë kundër Irakut. Edhe pse kjo luftë u bë për të përmbysur një regjim diktatorial dhe të pamëshirshëm, ajo çoi në shumë krime si përdorimi i uraniumit kundër popullit”, tha Emin.

Emin tha se dhjetëra fëmijë vdiqën nga uria gjatë embargos ndaj Irakut në vitet 1990.

“Lufta kundër popullit me arsyetimin e shpëtimit të tij nga periudha e embargos dhe regjimi i Sadamit është vrasje e pastër dhe kjo dosje duhet të dëgjohet në gjykatat ndërkombëtare. Tony Blair nuk e meriton këtë titull pasi ai është partner në këtë krim dhe ai duhet të ndiqet penalisht sepse e tha me gojën e tij se vendimi për luftë kundër Irakut bazohej në gënjeshtra. Dhjetëra njerëz të pafajshëm u morën në shënjestër të padrejtë në këtë luftë”.

Emin theksoi se edhe pse plani për të shpëtuar Irakun nga regjimi i Sadamit ka qëllime të mira, ai duhet të kryhej pa gjakderdhje, pa shkatërruar infrastrukturën dhe me më pak dëme, por ndodhi e kundërta.

“Blair mashtroi parlamentin për armët e shkatërrimit në masë”

Blair, i cili shërbeu si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar nga viti 1997 deri në 2007, është kritikuar për mbështetjen e tij për pushtimin e Irakut në vitin 2003 nga forcat e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja.

Raporti Chilcot, i publikuar në vitin 2016, zbuloi se Blair e siguroi presidentin e atëhershëm të SHBA-së, George W. Bush, për mbështetje në negociatat private përpara se të merrte miratimin e parlamentit britanik.

Blair, i cili u zbulua se kishte mashtruar parlamentin britanik në lidhje me armët e Irakut të shkatërrimit në masë, e bëri vendin e tij partner në pushtimin e Irakut duke dërguar 30.000 ushtarë.

Në pushtimin e Irakut i cili filloi më 20 mars 2003 vlerësohet se humbën jetën më shumë se 200.000 irakianë dhe 179 ushtarë britanikë. /Anadolu/

FOTO GALERI
2/3
Blair duke i nderuar nga George W. Bush

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA