Shtrimet në spital të personave me Covid 19 në Shtetet e Bashkuara arritën rekordin më të lartë të hënën, sipas një raporti të agjencisë së lajmeve Reuters, ndërsa një rritje e infektimeve të shkaktuara nga varianti shumë ngjitës “Omicron” po rëndon sistemet e kujdesit shëndetësor në disa shtete amerikane.

Rezultuan 132.646 persona të shtruar në spital me Covid, duke ia kaluar kështu rekordit prej 132.051 të vendosur në janar të vitit të kaluar.

Shtrimet në spital janë rritur në mënyrë të qëndrueshme që nga fundi i dhjetorit, duke u dyfishuar në tre javët e fundit, pasi varianti “Omicron” shpejt ia kaloi variantit Delta si versioni dominues i virusit në Shtetet e Bashkuara.Megjithëse ndoshta më pak të rënda, zyrtarët e shëndetësisë kanë paralajmëruar se numri i madh i infektimeve të shkaktuara nga varianti “Omicron” mund të mbingarkojë sistemet spitalore, disa prej të cilave tashmë kanë pezulluar ndërhyrjet jo urgjente, ndërsa luftojnë për të menaxhuar rritjen e numrit të pacientëve, ndërkohë që kanë edhe mungesa në personel.

Mesatarja shtatëditore për rastet e reja është dyfishuar në 10 ditët e fundit në 704.000. Shtetet e Bashkuara kanë mesatarisht mbi gjysmë milioni raste për gjashtë ditët e fundit, sipas një raporti të agjencisë Reuters.

Kryeqyteti Uashington, D.C., po udhëheq vendin me infektime të reja gjatë javës së kaluar në bazë të raportit të popullsisë, i ndjekur nga Nju Jorku, Nju Xhersi, Masaçusets dhe Vermonti.

Vdekjet janë mesatarisht 1.700 në ditë, nga rreth 1.400 ditët e fundit, por sidoqoftë brenda niveleve të parë në fillimet e këtij dimri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA