Sali Berisha është përjashtuar përgjithmonë nga Partia Demokratike. Kryesia e PD-së i ka hequr ish-liderit demokrat dhe të drejtën për të qenë anëtar i thjeshtë i partisë.

Në një mbledhje maratonë të kryesisë, që ka nisur në orën 19:00 të së hënës dhe ka përfunduar në orën 3:30 të mëngjesit, është marrë vendimi për përjashtimin e anëtarëve të të Komisionit të Rithemelimit të PD-së:

Bujar Nishani, Flamur Noka, Albana Vokshi, Edmond Spaho, Arben Ristani, Rigels Muçollari, Klevis Balliu dhe Keltis Kruja.

Ndërkohë, janë pezulluar nga e djathta deputetët: Agron Shehaj, Aldo Bumçi, Belind Kelliçi, Blendi Himci, Çlirim Gjata, Edit Harxhi, Edi Paloka, Eno Bozdo, Ervin Minarolli, Gent Deromemaj, Genc Pollo, Genti Strazimiri, Rigels Mucollari, Ivi Kaso, Ledina Mandia, Luan Baci, Lorenc Luka, Mimoza Hajdarmataj, Oerd Bylykbashi dhe Tritan Shehu.

Zhvillimet brenda partisë vijnë tre ditë pas protestës të thirrur nga Berisha. Demokratët u mblodhën para selisë blu, në një tubim që përfundoi në përplasje fizike. Shtëpia e demokratëve u dëmtua pas përpjekjeve të protestuesve për të hapur dyert e dritaret e për liruar, siç thonë ata, nga kthetrat e Bashës, selinë që i përket të gjithë demokratëve.

Muajt e fundit, Partia Demokratike është përballur me një betejë të brendshme politike mes kryedemokratit Lulzim basha dhe mbështetësve të tij e nga ana tjetër Sali Berishës dhe mbështetësve të tij.

Berisha thirri Kuvendin Kombëtar të partisë në 8 dhjetor dhe më pas në vend u mbajt referendumi, ku demokratët votuan për shkarkimin e Bashës dhe u ngrit Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD-së. Të gjitha këto lëvizje të Berishës, janë cilësuar jo legjitime nga PD-ja zyrtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA