Dhuna në familje është një nga problemet më të rënda sociale në Durrës.

Statistikat flasin për një shtim progresiv të rasteve, ndërsa denoncimet për një dhunë sistematike ndaj viktimave, kryesisht gra. Avokatja dhe aktivistja Rezarta Agolli tregon se problematikat dhe nevojat për mbrojtje të vazhdueshme ndaj grave janë të shumta:

 “Problematikat janë të shumta dhe fillojnë nga policia, gjykata, bashkia dhe i gjithë mekanizmi i mbrojtjes. Punën nuk mund ta bëjnë vetëm shoqatat. Rrjeti i fuqizimit të Gruas i mbështet ato në të gjithë Shqipërinë, por së pari duhet t’i mbështesë policia me përpilimin e urdhrit për masat paraprake të mbrojtjes”.

Sipas avokates, ka një sërë problemesh që e rëndojnë më tej pozitën e grave. Denoncimet shpesh marrin reagim të vonuar. Janë të përsëritura dhe të dyanshme, ndërsa e njëjta gjykatë shfaqet kontradiktore në vendimet e saj.

 “Për punonjësin e rolit bazë në policinë e shtetit është një punë e madhe që i merr kohë dhe më pas këto urdhra (për masat paraprake të mbrojtjes së menjëhershme) duhen të firmosen nga shefi i komisariatit, ndaj e kanë më të lehtë të plotësojnë një formular për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, që pas 20 ditësh pushohet nga gjykata. Gjykata nuk i dëgjon më shumë se 5 minuta palët. Një grua del herë viktimë dhe herë dhunuese. Po ashtu burrat. Është detyrë e gjykatës që të identifikojë viktimën”, thotë avokatja.

Gjatë vitit të kaluar në policinë e Durrësit janë regjistruar 735 raste, për të cilat janë lëshuar 608 urdhra për masat paraprake të mbrojtjes së menjëhershme. Ndërkaq në gjykatën e Durrësit vetëm gjatë periudhës janar-shtator 2021 u lëshuan 400 urdhra të menjëhershëm të mbrojtjes, ndërsa u gjykuan 97 çështje për dhunë në familje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA