Tiranë-Prishtinë, takohen kryetarët/ Veliaj i dhuron çelësin e kryeqytetit Përparim Ramës

09/01/2022 20:20

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj këtë të dielë mirëpriti në kryeqytet homologun e Prishtinës, kryetarin e sapo zgjedhur te Komunes, Përparim Rama.

Në pritjen e tij zyrtare, Veliaj u shpreh se sot çelet një faqe e re bashkëpunimi mes dy kryeqyteteve, ndërsa I dhuroi kryebashkiakut të Prishtines Çelësin e Tiranës.

“Kemi një traditë në këtë qytet, për ata që i konsiderojmë miq specialë, njerëz të shtëpisë, dhe siç bën me çdo vëlla, apo motër që e ke të familjes, gjithmonë ia jep një çelës per t’i treguar se dera është gjithmonë e hapur, je si në shtëpinë tënde. Në emër të qytetit të Tiranës, në emër të Këshillit Bashkiak, në emër të të gjithë qytetarëve që gëzojnë kaq shumë dashuri dhe respekt për Prishtinën, dua të ta dhuroj këtë çelës të qytetit të Tiranës, në shenjë të një dere të hapur, një dashurie të madhe dhe të një bashkëpunimi që na pret”.

Nga ana tjetër, kryetari Përparim Rama u shpreh se e sheh këtë çelës jo vetëm si të qytetit, por si një çelës i shumë dyerve që mund të hapen midis dy vendeve.

“Ky pasioni për qytetet tona, për popullin tonë, ka qenë gjithmonë ashtu në diskutimet që kemi pasur dhe tash që jemi në krye të dy kryeqyteteve më të mëdha shqiptare, ky çelës ka një rëndësi shumë të madhe për mua personalisht”.

Dy homologët inspektuan edhe një prej investimeve më të rëndësishme të teknologjisë në kryeqytet, Piramidën e Tiranës, e cila do të kthehet së shpejti në qendrën më të madhe të digjitalizimit në Ballkan.

Top Channel