Përplasja mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës është ende një ndër temat më të nxehta të politikë edhe në vitin e ri 2022.

Gazetari Çim Peka i ftuar këtë të premte në emisionin Top Talk në Top Channel, nën drejtimin e gazetarit Denis Dyrnjaja e quajti një budalla pa nuhatje politike kryedemokratin.

Sipas tij, Basha që të mos jetë i qetë duhet të jetë i mençur,por po ndodh krejt e kundërta, ku kjo situatë e ndëllikuar nuk po e shqetëson atë.

“Basha që të mos jetë i qetë duhet të jetë i mençur, Basha është budalla për të qenë i shqetësuar, një njeri është i shqetësuar kur ka nuhatje politike, por Basha nuk ka nuhatje politike. Ne kemi menduar se po e shtyjmë se ka pakënaqësi para kryeministrit Rama. Basha po e mban PD-në se nuk do që t’i ndalen benefitet që ka si kryetar”, tha Peka.

Ish kreu i PD-së, Sali Berisha ka paralajmëruar protestë nesër, 8 janar, pasi Basha nuk iu bind ultimatumit për të liruar zyrën në datën pesë janar.

Data pesë janar ishte dita e fundit e afatit të vendosur nga Berisha që kryetari aktual i PD-së, Lulzim Basha të largohet nga posti, pasi sipas tij u shkarkua me votën e lirë nga 4446 delegatë të Kuvendit Kombëtar të PD-së, të datës 11 Dhjetor dhe nga 44 mijë anëtarë të PD-së, që morën pjesë në Referendumin e Partisë Demokratike të datës 18 Dhjetor.

Gjithashtu anëtarët e Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit të Partisë Demokratike, mbështetës të Berishës nuk janë lejuar të futen në seli, me arsyen se po kryehen punime, ndërsa në selinë blu kanë dalë foto se dyert po blinohen dhe janë shtuar kamera.

Situata e ndërlikuar prej muajsh brenda PD-së, duket se nuk do të ketë një fund, ndërsa dita-ditës rëndohet. Nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë të shtunën, në protestën e paralajmëruar nga Berisha, nëse do të ketë skena dhune apo do të jetë një protestë paqësore.

Top Channel