Tentoi të vriste 42-vjeçarin me armë pas konfliktit për motive të dobëta, arrestohet pas më shumë se një viti arrati autori
Vijojnë tensionet në Partinë Demokratike. Një grup deputetësh mbështetës të ish kryeministrit Sali Berisha i gjetën sot të mbyllura dyert e selisë, ku siç deklaruan kishin shkuar për të zhvilluar një mbledhje.
Përplasjet vijnë në një kohë kur mbështetësit e ish-kryeministrit Berisha kanë thirrur një protestë në datën 8 janar në oborrin e Partisë Demokratike, ditë në të cilën shprehen, demokratët do të marrin në kontroll shtëpinë e tyre.
Por nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, foli për demokratë që i kanë dalë zot selisë gjatë gjithë këtyre viteve, duke paralajmëruar se kush nxit akte dhune nuk do ja arrijë qëllimit.
Nga videot e publikuara në media është parë që selia e PD-së është fortifikuar me qëllimin për të ndaluar këdo që do tentojë të futet me dhunë në mjediset e brendshme të godinës.
Videot treguan dyer të blinduara dhe fortifikim me profile hekuri. Këtyre masave i janë shtuar edhe disa prozhektorë të vendosura në disa pika të selisë, pas aludimeve që protestuesit e opozitës mund të “ngujohen” në oborrin e Partisë Demokratike.
Kujtojmë se deri në datën 5 janar, mbështetësit e ish-kryeministrit Berisha i lanë kryetarit Lulzim Basha një afat për të liruar selinë e Partisë Demokratike. Data 8 janar është njoftuar si dita kur ata kanë thirrur një protestë në selinë e partisë, kundër Lulzim Bashës, të cilin ata e konsiderojnë të shkarkuar nga drejtimi i forcës kryesore të opozitës.
Megjithatë, prej disa ditësh, të dy palët kanë shkëmbyer replika të ashpra, të nxitura edhe nga ndërhyrjet që kreu i PD-së Basha ka nisur në godinën e selisë. Sot, po një grup anëtarësh të Komisionit të Rithemelimit dhe pas tyre disa gra mbështetëse të ish-kryeministrit Berisha kanë shkuar në seli, për të zhvilluar, siç thanë, një mbledhje. Në fakt, shfaqja e tyre, ngjante më tepër një përpjekje për të mbajtur gjallë tensionin e brendshëm e se ultimatumi mbetej në fuqi, si dhe për të dëshmuar se kishin pasur të drejtë kur akuzuan Lulzim Bashën se ka blinduar selinë e Partisë, duke e krahasur atë me ish-burgun famëkeq amerikan Alkatraz.
Mbështetësit e ish-kryeministrit Berisha e kanë akuzuar Lulzim Bashën si “peng mjeran i Edi Ramës për aferat e tij”, duke theksuar se po reagon në mënyrën më të turpshme dhe kriminale. Sipas tyre, Basha në vend që të shfrytëzonte ditët e afatit tolerant për të mbledhur rraqet e veta, ai vendosi të blindojë selinë, duke fortifikuar dyer dhe hyrje dritaresh të selisë së demokratëve shqiptarë. Ata i bënë thirrje se selia e demokratëve nuk është një pronë private e tij, njëlloj siç pengmarrësi i tij, e konsideron ndërtesën e Kryeministrisë.
Në deklaratën e tij, Komisioni i Rithemelimit “paralajmëron binomin Rama – Basha se, për skenarin e tyre antidemokratik dhe destabilzues do të marrin si përgjigje të merituar turpin e historisë”.
Prej disa muajsh Partia Demokratike është përfshirë në një betejë të brendshme, mes zotit Basha dhe ish pararendësit të tij Berisha, i cili synon të rimarrë drejtimin e forcës kryesore të opozitës, pasi u la jashtë grupit parlamentar, për shkak të shpalljes non grata nga Shtetet e Bashkuara.
Top Channel