Një nga të arrestuarit për publikimin e pagave, punon për një miliarder rus i akuzuar për lidhje me shërbimet e inteligjencës

07/01/2022 16:05

Endri Ikonomi është një nga personat e akuzuar për publikimin e të dhënave sensitive të mbi 650 mijë qytetarëve shqiptarë por që ka rezultuar se punon për kompaninë e një miliarderi rus, e quajtur Credit 2 All.

Kjo kompani sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit është e specializuar në konsulencë financiare dhe në produktet elektronike në këtë fushë.

Nga të dhënat e QKB-së, mësohet se Oleg Boyko ka blerë 100% të aksioneve të kompanisë më 8 maj 2018 nga pronari i mëparshëm “Piressa Holding Limited”, një kompani kjo që operonte në parajsën fiskale Qipro, një ditë pasi administrator i saj emërohet i arrestuari i policisë Endri Ikonomi, i cili ka punuar deri më 17 shtator 2021.

Vlado Cvetkosvki rezulton administrator i kompanisë nga tetori 2021.

Boyko, 57 vjeç, raportohet të ketë një pasuri prej 1.3 miliardë dollarë sipas Forbes dhe përshkruhet në webfaqen e tij si një nga 100 biznesmenët më të pasur rus, investitor ndërkombëtar prej 30 vitesh në industrinë bankare dhe shërbimet digjitale financiare, si dhe drejtues i Finstar Financial Group.

Oleg Boyko e përshkruan misionin e Finstar si pararojë në “përdorimin e teknologjisë së thellë dhe shkencës së të dhënave për të siguruar gjithëpërfshirje financiare globale”.

Ndërkaq, një raport i inteligjencës amerikane e citon 57-vjeçarin si një person “me lidhje shqetësuese me qeverinë ruse, inteligjencën dhe shërbimet e sigurisë së Rusisë, por edhe me lidhje me krimin e organizuar”.

Shtypi moldav ka raportuar se Boyko ishte i përfshirë në një operacion të mbeshtetur nga Kremlini për influencimin e jashtëm të zgjedhjeve atje,” shkruhet në raportin e inteligjencës amerikane, ku disa paragrafë janë të censuruar.

Një investigim i platformës së gazetarëve rumunë anti-korrupsion “Black Sea” e citon Oleg Boykon si investitorin e Fashion TV që së bashku me një partner në Letoni e kanë përdorur Maltën si parajsë fiskale për të operuar në Evropë dhe SHBA ndërsa kanë fituar shuma marramendëse nga kreditë e shpejta tek më të varfrit e Evropës duke iu shmangur taksave.

Publikimi i të dhënave sensitive të mbi 650 mijë qytetarëve shqiptarë tronditi vendin në muajin dhjetor dhe ngriti shqetësime për cenim të rëndë të privatësisë në këtë shkallë në Shqipëri.

Policia ka arrestuar të premten katër persona për skandalin e publikimit të pagave, dy prej të cilëve janë punonjës në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ndërsa dy personat e tjerë janë punonjës të sektorit privat.

Kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj sqaroi skemën e abuzimit, ndërsa theksoi se nuk kemi të bëjmë me ndërhyrje në rrjetin kompjuterik, por me punonjës që kanë shpërdoruar detyrën.

Top Channel