Qeveria në Kosovë i dha dritën jeshile projektligjit që synon krijimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar.

Projektligji, sipas ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu, është hartuar nga ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë. Ajo tha se Byroja Shtetërore ka për qëllim “verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar të personave zyrtarë, familjarëve të tyre dhe personave të ekspozuar politikisht”. Nisma garanton po ashtu respektimin e të drejtave të palëve në procedurë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe dokumentet ndërkombëtare.

“Parandalimi dhe ndëshkimi i shpërdorimit të fondeve publike, ka qenë dhe mbetet njëri prej prioriteteve kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Aprovimi dhe implementimi i këtij Ligji, është një hap përpara, i domosdoshëm për arritjen e këtij synimi”, bëri të ditur në rrjetet sociale ministrja Haxhiu.

Byroja do të ketë staf të specializuar, por gjithsesi fjalën e fundit për konfiskim e pasurisë do ta jep gjykata, gjithnjë duke respektuar edhe të drejtën e ankesës së palës tjetër. Sipas Haxhiut, dënimet që janë dhënë deri më tani ndaj ndonjë zyrtari të profilit të ulët kanë qenë vendime qesharake dhe motiv për të korruptuarit që të vazhdojnë me afera të tilla. Prandaj sic thotë ajo, projektligji për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme duhet të hyjë në fuqi sa më shpejtë. Qeveria e Kosovës vazhdon të insistojë që në Kosovë të ketë edhe veting në sistemin e drejtësisë, por në raportin e Progresit të Komisionit Europian, ndërmarrja e një ri-vlerësimi të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve u cilësua si shqetësuese dhe si levizje që paraqet një burim shqetësimi serioz”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA