Çizmja ruse në Kazakistan/ Çfarë është CSTO, aleanca që “kërcënon” NATO-n?

07/01/2022 18:10

Vetëm 48 orë nga shpërthimi i protestave popullore në Kazakistani, tokën e tij e shkelën çizmet ruse.

Trupat e Moskës u ftuan nga presidenti kazak për të vendosur rendin e qetësinë, si pjesë e forcave të Traktatit të Sigurisë Kolektive, CSTO, një aleancë ushtarake e udhëhequr nga Rusia, e cila përshkruhej dikur si një organizëm i ngjashëm me NATO-n, por që nuk e pati kurrë suksesin e saj.

Teksa Lufta e Ftohtë i afrohej fundit në korrik 1991, Traktati i Varshavës, një aleancë e tetë shteteve socialiste dhe kundër përgjigja e Bashkimit Sovjetik ndaj NATO-s, u shpërbë. Më pak se një vit më vonë Rusia dhe pesë nga aleatët e saj në Commonwealth e vendeve të pavarura, një klub i hapur shtetesh post-sovjetik, nënshkruan Traktatin e ri të Sigurisë Kolektive, që hyri në fuqi në 1994. Një organizatë asokohe më e vogël, më e dobët dhe më pak ambicioze se Traktati i Varshavës, por që në vitin 2002, teksa Azia Qendrore po shtrihej gjeopolitikisht, dhe Amerika kishte pushtuar Afganistanin, ajo e shpalli veten Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive, një aleancë ushtarake e plotë thotë The Economist.

Rusia e sheh CSTO si mjet të dobishëm për të forcuar kontrollin e saj në Azinë Qendrore, përballë ndërhyrjeve perëndimore por edhe atyre kineze. Anëtarët e tjerë të organizatës përfitojnë nga ana e tyre prej ndihmës së forcave të armatosura të fuqishme dhe të avancuara ruse. Deri këtë javë megjithatë, asnjë anëtar i CSTO-së nuk kishte zbatuar ndonjëherë nenin 4 të traktatit të tij, një klauzolë e mbrojtjes reciproke që ngjason shumë me nenin e njohur 5 të NATO-s që përbën praktikisht thelbin e saj, pasi përmes tij garantohet mbrojtja kolektive e të gjithë anëtarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA