Pa e fshehur shqetësimin nga përshkallëzimi i situatës në Kazakistan, kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe shefi i Elizesë, Emmanuel Macron, vendi i të cilit ka marrë presidencën e radhës së bllokut, bënë thirrje për fundin e dhunës në këtë vend.
“Të drejtat dhe siguria e qytetarëve janë të një rëndësie kyçe dhe duhet të garantohen. Bëjmë thirrje t’i jepet sa më parë fund dhunës e palët të tregojnë vetëpërmbajtje. BE-ja është e gatshme të japë ndihmën e saj”, tha Von der Leyen gjatë një konference për shtyp me Macron, duke shtuar se Bashkimi Europian është gati të mobilizohet për këtë qëllim.
Reagimi i saj erdhi në kohën kur presidenti kazak pohoi se kishte autorizuar forcat e sigurisë të vendit të “qëllojnë për të vrarë pa paralajmërim”, ndërsa po kërkon t’u japë fund protestave antiqeveritare. Kassym-Jomart Tokayev, tha se ishte “marrëzi” të negociosh me protestuesit, të cilët ai i përshkroi si “kriminelë dhe vrasës”. Për shtypjen e protestave, ai kërkoi ndihmën e Moskës. Trupat paqeruajtëse ruse tashmë ndodhen në vend për të garantuar, siç thonë, rendin dhe sigurinë.
Kazakistani është tronditur prej disa ditësh nga përplasje të paprecedenta mes demonstruesve dhe policisë. Tubimet, të drejtuara fillimisht kundër rritjes së çmimit të gazit, janë kthyer në protesta masive antiqeveritare në të gjithë vendin. Me herët, televizioni kombëtar raportoi se janë vrarë 26 demonstrues.
Përveç kësaj, më shumë se 3000 njerëz janë arrestuar. Frika është se tani mund të ketë më shumë viktima të tjera civile. Të paktën 18 anëtarë të forcave të sigurisë gjithashtu kane humbur jetën, sipas shifrave zyrtare.
Top Channel