Përçarja në Partinë Demokratike ka përfshirë dhe gazetën Rilindja Demokratike.

Në 31-vjetorin e themelimit, media, që nisi si simbol i fjalës së lirë, duket se ka rënë në grackën e konfliktit midis kryedemokratit Lulzim Basha dhe mbështetësve të tij e nga ana tjetër Sali Berishës dhe atyre që e përkrahin nismën e tij.

Kryeredaktori i Rilindjes Demokratike, Bledi Kasmi, i ftuar sot në “Top Talk”, thotë se PD-ja zyrtare ndryshoi në mënyrë të papritur kodet e gazetës ‘online’ dhe kështu gazetarëve iu hoq aksesi për të postuar në web:

Ka pasur përpjekje të befasishme nga strukturat e Partisë Demokratike, ose më saktë, nga ajo që ka ngelur nga Partia Demokratike.

Në një moment të caktuar, ndryshohen bravat elektronike të gazetës, hyrjet e web-it, të gazetës ‘online’. Nuk kishim akses, jo vetëm unë si kryeredaktor, por i gjithë grupi i gazetarëve. Pritëm për një komunikim zyrtar nga strukturat e partisë, çfarë po ndodhte? Gjëja më normale ishte të thirrej kryeredaktori, të thuhej ka një problem, ose të shkarkohej. Por, pas asnjë komunikim?! Pa asnjë lloj shkaku, ti shkon dhe i mbyll?

Sipas Kasmit, Rilindja Demokratike, në publikimet e saj, kishte mbajtur një qëndrim neutral, duke pasqyruar njësoj se aktivitet e Bashës dhe të Berishës.

Unë si kryeredaktor, gjatë gjithë kohës që ka pasur një debat apo debate të tjera, i kemi pasqyruar. Kemi bërë pasqyrim të të dyja palëve. Kemi qenë të ekuilibruar. Nuk kemi mbajtur anën e njërit apo tjetrit.

Deri në një moment, nuk kemi pasur ndërhyrje. Dhe për këtë gjë kam pasur respekt për të gjithë aktorët politikë të Partisë Demokratike. Zgjodhëm të mbajmë një qëndrim të ekuilibruar, duke mënjanuar dhe shprehjet ekstreme të palëve. Donim të mundësonim të krijohej një urë komunikimi mes aktorëve në këtë situatë. Mund të kishte një mënyrë komunikimi më tolerante dhe më të civilizuar ndaj palëve.

Mund ta kishte inat personal me mua, se në ‘Facebook-un’ tim, mbaj qëndrimin personal, por kështu…

Kryeredaktori thotë se ka pasur përpjekje të vazhdueshme për ta asimiluar Rilindjen Demokratike dhe për ta mbyllur. Madje, rrëfen ai, “situata agravoi akoma më tej. Na u tha që duhet të lirojmë zyrat. Një veprim komplet qesharak”.

Tashmë, ashtu siç Partia Demokratike është ndarë në dysh, është ndarë dhe gazeta e demokratëve, duke u paraqitur në web me dy versione.

Top Channel