SHBA godet projektin serbo-rus për destabilizimin e Ballkanit, sanksionohet Dodik

06/01/2022 11:34

Me arsyetimin se veprimet e nacionalistit serb Milorad Dodik kërcënojnë stabilitetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe të të gjithë rajonit, ministria e financave në SHBA njoftoi vendosjen e sanksioneve ndaj liderit serbo-boshnjak, drejtuesi i Republika Srpska apo entitetit serb në Bosnje, të krijuar pas Marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995.

Sanksionet e ashpra mbi Dodikun kanë në qendër të tyre korrupsionin. Në kohën kur Bosnje-Hercegovina po përballet me krizën e saj më të rëndë politike që nga vitet 1990, SHBA tha se Dodik e ka përdorur pozitën e tij për të grumbulluar pasuri përmes një sistemi patronazhi, ryshfetesh dhe mitmarrjeje.

“Aktivitetet destabilizuese korruptive të Milorad Dodik dhe përpjekjet për të çmontuar Marrëveshjet e Paqes të arritur në Dejton të SHBA, të motivuara nga interesi i tij vetjak, kërcënojnë stabilitetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe të të gjithë rajonit,” tha Brian Nelson, nënsekretar për terrorizmin dhe hetimet financiare pranë Ministrisë së Financave tä SHBA-së.

Efekti praktik i sanksioneve do të jetë raportimi, ngrirja dhe bllokimi i çdo pasurie që Dodik mund të ketë në Shtetet e Bashkuara. Ministria e Financave e SHBA-së vuri sanksione edhe ndaj “Alternativna Televizija”, një kanal që sipas SHBA është në pronësi të një kompanie të lidhur me familjen e Dodikut dhe përdoret për qëllime propagande. Dodik reagoi ndaj sanksioneve amerikane duke e cilesuar vendimin “të pakuptimtë”. “Gjëja e parë që bie në sy është koha e shpalljes së këtij vendimi, pra në moment festash.

Ne historikisht, si komb jemi sulmuar në festa të mëdha. Habitem nga ana tjetër sesi një vend që krenohet me të drejtat e njeriut dhe lirinë e medias, sanksionin një televizon”, u shoreh ai, duke shtuar se ndërsa akuzohet për korrupsion, kundër tij aktualisht nuk po zhvillohet asnjë procedure penale as në Bosnjë, e askund tjetër nëpër bote.

Top Channel