Komanda Amerikane e Operacioneve Speciale për Europën do të ngrejë shtabin e saj në Shqipëri për të siguruar një lidhje të rëndësishme midis aleatëve dhe partnerëve në Ballkanin Perëndimor duke rritur stabilitetin rajonal.
SOCEUR ka një pozicion unik për të stimuluar marrëdhënien mes vende të Ballkanit Perëndimor, për t’iu kundërvënë ndikimeve keqdashëse, për të ndërtuar ndërveprueshmërinë dhe për t’iu përgjigjur me shpejtësi kërcënimeve që mund të lindin.
Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama ka falënderuar ambasadoren amerikane Yuri Kim, e cila e ka lehtësuar ndërveprimin mes Shqipërisë dhe Amerikës.
“Nga Gjermania doli deklarata nga Komanda e Operacionale të SHBA e cila operon për Evropën dhe ka vendosur të ngrejë në Shqipëri një shtab të bazës së forcave operacionele, vendodhja e selisë në Shqipëri do të vendosë një ndërveprueshmëri të madhe me aleatët shqiptarë.
Shqipëria mbetet një aleat i fortë në NATO. Pjesa më e rëndësishme është që kemi marrë një lajm fantastik që kemi disa kohë që punojmë, është shkrehje e një besueshmërie të lartë, bashkëpunimi shumë të afërt, me këtë rast dua të falënderoj publikisht, diçka që nuk e kam me shumë qejf ta bëj, por kur duhet bërë duhet bërë, se ambasadorët bëjnë detyrën e tyre, por ambasadorja amerikane Yuri Kim duhet falënderuar për lehtësimin e jashtëzakonshëm që i ka bërë këtij ndërveprimi që të kemi një komunikim të lartë në një kohë realativisht të qëndrueshme dhe të gjatë”, tha Rama.
Rama gjithashtu ironizoi një pjesë të shqiptarëve që thonë se vendi ynë nuk ka një ushtri.
“Ky është edhe për ata që qahen se ku i kemi helikopterët, ku i kemi pushkët, ku i kemi armët, ku i kemi koburet. Ne nuk jemi vetëm një anëtar në NATO, por tashmë një vend me shtabin bazë të forcave speciale të SHBA-së”, tha kryeministri.
Lajmin e ka përshëndetur edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë. Yuri Kim.
“Një mënyrë e jashtëzakonshme për të nisur vitin e ri me një zhvillim të rëndësishëm në marrëdhënien SHBA-Shqipëri në fushën e mbrojtjes. Hera e parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ngrenë një seli të këtij lloji në Shqipëri. E rëndësishme për sigurinë rajonale”, shkruan Yuri Kim.
Në një deklaratë, Komanda e SHBA-së për Operacionet Speciale në Europë thekson se vendosja e selisë në Shqipëri do të sigurojë ndërveprueshmëri më të madhe me aleatët shqiptarë, qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik.
“Shqipëria mbetet një aleate e fortë e NATO-s dhe SHBA-të gëzojnë një marrëdhënie të fortë me qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë, gjë që e bën vendosjen e një shtabi pararojë në këtë vend aleat një vendim të natyrshëm. Gjithashtu, kjo vendndodhje redukton në masë të madhe kohën e udhëtimit dhe rrit fleksibilitetin e operacioneve speciale dhe forcave konvencionale në rajon. Kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe profesionalizmin e ushtrisë shqiptare.
Aftësia për të lëvizur dhe trajnuar me shpejtësi brenda Ballkanit, në bashkëpunim të ngushtë me forcat e tjera aleate dhe partnere, e bëri Shqipërinë vendndodhjen më të mirë për këtë përpjekje”, tha Gjeneral Major David H. Tabor, Komandant i Komandës së Operacioneve Speciale në Europë.
“Shqipëria mbetet një aleate e rëndësishme e NATO-s dhe një partnere e çmuar e sigurisë, si në nivel rajonal ashtu dhe global. SOCEUR luan një rol të rëndësishëm për të demonstruar përkushtimin e SHBA-së ndaj aleatëve dhe partnerëve tanë në Ballkan dhe kjo përpjekje po kryhet me mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare dhe përfaqëson vlerësimin për profesionalizmin e ushtrisë shqiptare. Nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme dhe bashkëpunimit të ngushtë, Forcat e Operacioneve Speciale të SHBA-së sigurojnë një lidhje të rëndësishme midis aleatëve dhe partnerëve tanë në rajon, duke rritur kështu stabilitetin rajonal. SOCEUR ka një pozicion unik për të stimuluar marrëdhënien tonë me aleatët dhe partnerët për t’iu kundërvënë ndikimeve keqdashëse, për të ndërtuar ndërveprueshmërinë, për t’iu përgjigjur me shpejtësi kërcënimeve që mund të lindin dhe nëse është e nevojshme, për të mposhtur sulme”, thuhet në deklaratën e komandës amerikane.
Kjo bazë do të jetë e dyta e rëndësishme e forcave aleate në vendin tonë. Në janar të vitit 2022 do të nisë ndërtimi i bazës ajrore të Kuçovës, ndërsa Aleanca e Atlantikut të Veriut do të ketë bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor.
Top Channel